për të informuar zyrtarët publikë mbi detyrimet që i rrjedhin shtetit nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut

Ky instrument shpjegues ka për qëllim t’u ofrojë zyrtarëve të shteteve palë në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (më poshtë “Konventa”) informacion dhe udhëzime praktike për t’i pajisur ata me informacionin e nevojshëm për të respektuar të drejtat e njeriut të parashikuara në Konventë gjatë ushtrimit të detyrës, për të përmbushur detyrimet e shtetit që rrjedhin nga Konventa dhe, në këtë mënyrë, për të shmangur shkeljet e Konventës sa më shumë të jetë e mundur.

Kujt i drejtohet ky instrument shpjegues?

Instrumenti shpjegues u drejtohet kryesisht zyrtarëve që punojnë në sistemin e drejtësisë dhe personave përgjegjës për zbatimin e ligjit ose mohimin e lirisë së një personi. Më specifikisht, këta zyrtarë përfshijnë (por nuk kufizohen vetëm tek) policët, oficerët e burgjeve, oficerët e migracionit dhe punonjësit në institucionet psikiatrike, ose në institucionet e tjera që ofrojnë kujdes për personat vulnerabël.

Më gjerësisht, instrumenti shpjegues i drejtohet po ashtu çdo zyrtari që ndërvepron me publikun në mënyra që ngrenë çështje potenciale të të drejtave të Konventës, si për shembull punonjësit socialë, sekretarët dhe zyrtarë të autoriteteve licencuese.
Ky instrument shpjegues nuk është hartuar për gjyqtarët, avokatët ose për nëpunësit e lartë civilë, por për zyrtarët që janë "në skajin më delikat". Ai u drejtohet personave që nuk kanë njohuri ligjore të mëparshme.

Instrumenti shpjegues përmban posaçërisht:

  • Një udhërrëfyes për të drejtat që jepen nga Konventa dhe Protokollet e saj dhe detyrimet korresponduese të Shtetit, duke u munduar të ndjekë rendin e dispozitave në këto dokumente. Dispozitat të cilat dalin më shpesh në punën e zyrtarëve për të cilët është hartuar ky dokument janë trajtuar në shumë më tepër detaje sesa dispozitat që hasen më rrallë. Instrumenti shpjegues nuk synon të mbulojë të gjitha çështjet e mundshme, siç do të bëhej nga një tekst ligjor, por përqendrohet në mënyrë selektive tek çështjet më domethënëse dhe më shpesh të hasura.
  • Pyetjet dhe listat e çështjeve që duhet të kontrollohen nënvizojnë pika për t’u shqyrtuar, për t’u ardhur në ndihmë zyrtarëve që të vendosin nëse del një çështje potenciale mbështetur në Konvetë apo jo.

Konventa dhe si funksionon ajo

Konventa për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut (titulli zyrtar i Konventës) është një traktat ndërkombëtar ndërmjet shteteve anëtare (aktualisht 47) të Këshillit të Evropës (institucion i cili nuk duhet të ngatërrohet me Bashkimin Evropian). Këshilli i Evropës është kirjuar pas Luftës së Dytë Botërore si organizatë ndërkombëtare për promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Konventa është miratuar në vitin 1950. Shtetet janë të detyruara të respektojnë Konventën kur ato bëhen palë në Konvetë nëpërmjet ratifikimit të saj. Të gjitha shtetet anëtare e kanë ratifikuar Konventën.

Konventa ka disa Protokolle opsionale, të cilët i plotësojnë dispozitat e Konventës duke shtuar të drejta substantive që garantohen nga Konventa. Shtetet antare mund të vendosin nëse të pranojnë protokollet opsionale që garantohen nga Konventa. Shtetet anëtare mund të përzgjedhin t’i pranojnë protokollet opsionale nëpërmjet ratifikimit të tyre. Jo të gjitha shtetet palë i kanë pranuar të gjitha protokollet opsionale. Duhet të kontrolloni në faqen e internetit të Këshillit të Evropës (Europe Treaty Office website) për të parë se cilët Protokolle janë ratifikuar nga shteti juaj.

Ju lutem mbani parasysh: Ne ju ftojmë të na dërgoni sugjerime që mund të përmirësojnë përmbajtjen ose prezantimin e kësaj faqeje interneti. Ju lutem jepni informacion në formularin e kontaktit të dhënë për këtë qëllim.

 

 

 

Back Ndalimi i Diskriminimit

Neni 14 kërkon që "gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër".

Neni 14 nuk parashikon një të drejtë të mëvetësishme. Ai mund të përdoret në lidhje me një të drejtë tjetër të dhënë nga Konventa (ose Protokollet, nëse ratifikohen). Megjithatë, e drejta e parashikuar në këtë nen mund të shkelet kur lexohet me të drejtën tjetër dhe në rast se e drejta tjetër në vetvete nuk shkelet. SHËNIM: Protokolli nr. 12 jep një të drejtë të mëvetësishme në të njëjtat kushte si neni 14, gjë e cila duhet ta bëjë këtë të drejtë më shumë të zbatueshme, por Protokolli nuk është ratifikuar ende nga shumë shtete (shih më poshtë).

Lista e shkaqeve për diskriminim nuk është shterruese: Fjalët "të tilla si" dhe "ose status tjetër" nënkuptojnë që lista është vetëm për qëllime ilustrimi. Gjykata ka njohur po ashtu, për shembull, që kundërshtimi me ndërgjegje, paaftësia, palegjitimiteti dhe orientimi seksual janë shkaqe të ndaluara për diskriminim dhe mund të shtojë dhe shkaqe të tjera.

Diskriminimi është më i vështirë të justifikohet për disa shkaqe, sesa për shkaqe të tjera: megjithëse të gjitha shkaqet janë të rёndësishme, Gjykata është shprehur se ajo do të kërkojë arsye posaçërisht me peshë për të justifikuar diskriminim për shkak të seksit, orientimit seksual, racës, ngjyrës, nënshtetësisë (në përjashtim të migracionit), ilegjitimitetit dhe fesë.

Çfarë është diskriminimi? Diskriminimi është trajtimi i personave në situatё analoge në mënyrë të ndryshme, ose trajnimi i njëjtë i personave në situata të ndryshme, pa justifikim objektiv dhe të arsyeshëm. Pra, jo të gjitha trajtimet e diferencuara përbëjnë diskriminim. Një i burgosur dhe një person i lirë, për shembull, nuk janë në situata analoge, kështu që në rastin e tyre mund të justifikohet trajtimi i ndryshëm. Dy situatat kryesore mund të ilustrohen si më poshtë: kur një lesbike nuk u lejua të birësonte një fëmijë vetëm për shkak të orientimit të saj seksual, ndërsa persona të tjerë të pamartuar lejoheshin të birësonin fëmi, Gjykata u shpreh se kishte shkelje (persona në situatё analoge të trajtuar në mënyrë të ndryshme) (EB v. France). Nga ana tjetër, në rastin kur një Dëshmitari të Jehovait, i dënuar se kishte refuzuar të vishte uniformë, iu mohua e drejta për t’u bërë llogaritar për shkak të dënimit të mëparshëm, Gjykata u shpreh se kishte po ashtu shkelje, pasi ai, me një denim shumë të vogël, ishte trajtuar njësoj si njerёzit në situata shumë të ndryshme, me dënime për mungesë ndërshmërie dhe për mashtrim (Thlimmenos v. Greece).

"Justifikimi objektiv dhe i arsyeshëm": nëpërmjet jurisprudencës së saj, Gjykata e ka prezantuar këtë koncept në të njëjtën mënyrë si përjashtimet e lejuara në paragrafët e dytë të nenit 8 deri në nenin 11: pra i takon shtetit barra e të provuarit të justifikimit, e cila duhet të aplikohet në mënyrë përpjesёtimore.

Dhuna e motivuar nga diskriminimi është posaçërisht e rëndë dhe e rëndësishme për t’u shmangur nga agjentët e shtetit të autorizuar për përdorim force (për shmebull, policia ose forcat e armatosura). Në rastin e një sulmi nga policia mbi një individ rom gjatë konfrontimeve racore në një fshat, Gjykata konstatoi shkelje pasi kishte prova që sulmi ishte i motivuar për shkaqe racore (Stoica v. Romania). Në një tjetër rast kur dy rekrutë romë u qëlluan nga policia, Gjykata u shpreh se nuk kishte shkelje të nenit 14 të lexuar në lidhje me nenin 2 pasi kishte prova të pamjaftueshme për motivimin racor, por kishte shkelje të detyrimit procedural për të hetuar  siç duhet rastet kur dhuna e ushtruar nga agjentët e tij mund të motivohet nga diskriminimi (Nachova v. Bulgaria). Edhe tolerimi nga shteti i dhunës diskriminuese të përdorur nga persona privatë mund të përbëjë shkelje, si në rastin e një kongregacioni të një grupi fetar, i cili u sulmua dhunshëm nga ndjekësit e një grupi tjetër dhe autoritetet refuzuan të ndërhynin ta ndalonin atë dhe ishin indiferentë ndaj ndjekjes së autorëve të aktit (97 members of the Gldani Congregation of Jehovah's Witnesses and 4 others v. Georgia).

Diskriminimi i tërthortë është rasti kur një ligj ose politikë përgjithësisht e zbatueshme ka efekt negativ jo proporcional mbi anëtarët e një grupi të caktuar, edhe në rast se nuk ka për qëllim diskriminimin. Kështu, në çështjen kur një numër i madh fëmijësh nga një grup etnik u dërguan në shkolla të posaçme për fëmijë më pak të aftë, megjithëse politika kishte aplikim të përgjithshëm, Gjykata konstatoi shkelje. Problemi qëndronte me mënyrën sesi ishte zbatuar politika (D.H. and Others v. the Czech Republic).

Diskriminimi për çdonjërin nga shkaqet e identifikuara në Nenin 14, ose nga Gjykata mund të ngrihet thuajse në çdo rast kur zyrtarët merren me publikun në lidhje me fushat që bien në objektin e të drejtave dhe të lirive të Konventës.

PROTOKOLLI NR. 12

Ky protokoll përsërit ndalimin e diskriminimit në të njëjtin formulim me nenin 14 të Konventës, por me dallimin kyç që ai e bën këtë të drejtë të drejtë të mëvetësishme, jo të lidhur me objektin e një të drejte tjetër të Konventës. Deri tani, relativisht pak shtete e kanë ratifikuar Protokollin nr. 12 dhe lidhur me të ka pak jurisprudencë të zhvilluar nga Gjykata, kështu që është e vështirë që të jepen udhëzime lidhur me efektet e mundshme të tij.

Download the abstract

  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page