Në një kohë kur sfidat shoqërore kërkojnë qytetarë aktivë dhe të vetëdijshëm, nisma “Mësojmë nga e kaluara” sjell një model edukimi frymëzues për të rinjtë shqiptarë, duke nxitur njohjen dhe reflektimin mbi të kaluarën historike të vendit.
E zhvilluar në kuadër të projektit të Këshillit të Evropës “Forcimi i Edukimit për Qytetari Demokratike në Shqipëri”, me mbështetje financiare nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), dhe në bashkëpunim me AIDSSH, kjo nismë synon të ndërtojë ura mes historisë dhe të ardhmes demokratike të Shqipërisë.
Përgjatë muajve mars-prill, më shumë se 300 nxënës nga rreth 25 shkolla janë përfshirë në aktivitete ndërgjegjësuese si shfaqje dokumentarësh, lexime materialesh informuese, vizita pranë Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, si edhe diskutime me ekspertë për të kuptuar të kaluarën totalitare të vendit.
Këto aktivitete kanë për qëllim zhvillimin e mendimit kritik dhe promovimin e vlerave demokratike. Me mbështetjen e mësuesve, nxënësit i kanë dhënë hapësirë një platforme dialogu, mbi konceptet e lirisë së shprehjes dhe të drejtës për informacion, duke reflektuar se demokracia, është një arritje që duhet ruajtur dhe forcuar çdo ditë.
Përmes kësaj nisme, të rinjtë pajisen me njohuri mbi të drejtat e njeriut dhe vlerat demokratike, duke u angazhuar për një të ardhme më të drejtë, ku qytetaria aktive bëhet pjesë e përditshmërisë.