Arritjet
Heqja e dënimit me vdekje
Këshilli i Evropës ka qenë pionieri i betejës për heqjen e dënimit me vdekje, i cili, sipas tij, nuk ka vend në shoqëritë demokratike. Në prill të vitit 1983 Këshilli miratoi Protokollin nr. 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që e heq dënimin me vdekje, dhe më pas, në maj të vitit 2002, Protokollin nr. 13 që heq të gjitha rrethanat për dënimin me vdekje.
Këshilli i Evropës e ka bërë heqjen e dënimit me vdekje parakusht për pranim në organizatë. Që prej vitit 1997 nuk është bërë asnjë ekzekutim në asnjërin nga të 46 shtetet anëtare të organizatës.
Forcimi i të drejtave të njeriut
Çdo shtet që bëhet pjesë e Këshillit të Evropës bie dakord të jetë objekt i mekanizmave të pavarur të monitorimit, të cilat vlerësojnë përputhshmërinë e tij me të drejtat e njeriut dhe me praktikat demokratike.
Një ndër shembujt e mekanizmave të pavarur të monitorimit është Komiteti për Parandalimin e Torturës i Këshillit të Evropës, i cili bën në mënyrë të rregullt vizita të palajmëruara në vendet e vuajtjes së dënimeve në të 46 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës (burgje, rajone policie, qendra për mbajtjen e nënshtetasve të huaj) për të vlerësuar sesi trajtohen personat që u është mohuar liria.
Nga ana e tij, Komiteti Evropian për të Drejtat Sociale verifikon zbatimin e të drejtave për strehim, shëndet, arsimim dhe punësim, si dhe lirinë e lëvizjes, të garantuara nga Karta Sociale Evropiane në shtetet përkatëse.
Një tjetër shembull është Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit (Greco), i cili identifikon mangësitë në politikat kombëtare antikorrupsion dhe i inkurajon shtetet të kryejnë reformat e nevojshme legjislative, institucionale dhe administrative. Vlerësimi i tij mbështetet në konventat përkatëse të Këshillit të Evropës.
Mosdiskriminimi dhe lufta kundër racizmit
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut i ndalon të gjitha format e diskriminimit nga autoritetet shtetësore, për çdo lloj shkaku. Këshilli i Evropës realizon aktivitete të ndryshme për të mbrojtur pakicat, përfshirë dhe pakicën më të madhe në Evropë, romët.
Për shembull, Aleanca Evropiane e Qyteteve dhe e Rajoneve për Përfshirjen e Romëve është një iniciativë e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Një rezultat i prekshëm i Aleancës është projekti Romact, i organizuar bashkërisht me Bashkimin Evropian.
Nga ana e tij, Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës, analizon probleme specifike dhe bën rekomandime të rregullta për të 46 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës.
Këshilli i Evropës luan rol kryesor në luftën kundër diskriminimit për arsye të orientimit seksual, ose identitetit gjinor.
Së fundmi, Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare ofron një mekanizëm monitorimi që vlerëson dhe përmirëson mbrojtjen e pakicave në shtetet e përfshira.
Aleanca Evropiane e Qyteteve dhe Rajoneve për Përfshirjen e Romëve
Të Drejtat e Romëve
Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës
Diskriminimi për shkak të orientimit seksual
Mbrojta e pakicave kombëtare
Mbështetja e lirisë së shprehjes
Nuk mund të ketë demokraci të vërtetë pa lirinë e shprehjes dhe pa media të lirë dhe pluraliste. Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut i njeh shtypit një mbrojtje shumëdimensionale, në veçanti lidhur me natyrën konfidenciale të burimeve të gazetarëve. Sipas Gjykatës, mungesa e kësaj mbrojtje mund t’i pengojë burimet t’i vijnë në ndihmë shtypit për të informuar publikun rreth çështjeve me interes publik.
E drejta e lirisë së shprehjes zbatohet dhe për format e reja të komunikimit masiv, përfshirë dhe internetin. Këshilli i Evropës është vazhdimisht aktiv për mbrojtjen e kësaj të drejte, duke marrë parasysh çdo zhvillim.
Këshilli i Evropës po ofron ndihmë për disa nga shtetet anëtare për të përmirësuar legjislacionin dhe politikat e tyre për lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit. Për profesionistët e medias po organizohen dhe kurse trajnimi dhe vizita studimore.
Barazia gjinore
Në fushën e drejtësisë dhe demokracisë, barazia gjinore tani konsiderohet si e rëndësishme për rritjen ekonomike të shteteve. Qëllimi i instrumentit përkatës të Këshillit të Evropës është lufta kundër të gjitha formave të diskriminimit kundër grave dhe rritja e rolit të grave në shoqëri.
Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave, e cila përbën një hap të rëndësishëm në këtë drejtim, mbështetet në argumentin që kjo dhunë nuk mund të zhduket në rast se nuk bëhen përpjekje për të arritur më shumë barazi ndërmjet grave dhe burrave.
Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve
Fëmijët janë të cenueshëm dhe mbështeten tek të rriturit për pjesën më të madhe të nevojave të tyre. Qëllimi i programit të Këshillit të Evropës për fëmijët është që të mbështesë të drejtat e tyre, të parandalojë çdo lloj dhune kundër tyre, të sigurojë ndjekjen e autorëve të dhunës dhe të rrisë pjesëmarrjen e fëmijëve në vendimet që i prekin ata.
Për pasojë, Konveta për Mbrojtjen e Fëmijëve kundër Shfrytëzimit Seksual dhe Abuzimit Seksual është instrumenti i parë që e parashikon si vepër penale abuzimin seksual të fëmijëve, përfshirë dhe abuzimin brenda shtëpisë ose në familje. Konventa ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2010.
Për më tepër, Këshilli i Evropës ka miratuar udhëzime për të përmirësuar aksesin e fëmijëve në drejtësi.
Dhuna kundër fëmijëve
Programi për fëmijët
Fushata NJË në PESË
Mbrojtja e diversitetit kulturor
Pas miratimit në vitin 2008 të "Dokumentit të Bardhë për Dialogun Ndërkulturor", Këshilli i Evropës ka filluar shumë programe për trajnimin e mësuesve, mbrojtjen e pakicave dhe kohezionin social, përfshirë dhe një dialog të përvitshëm me komunitetet fetare dhe përfaqësues të besimeve jofetare. Rrjeti i Qyteteve Ndërkulturore i ndihmon qytetet anëtare të menaxhojnë diversitetin kulturor dhe nxit përzierjen dhe ndërmjetësimin ndërmjet grupeve heterogjene në vendet publike për të promovuar kohezionin. Ai harton instrumente për të zgjidhur konfliktet kulturore
Për të promovuar mirëkuptimin ndërkulturor, Këshilli i Evropës përgatit programe dhe instrumente për të përmirësuar mësimin e gjuhëve.
Dialogu undërkulturor
Qytete ndërkulturore
Promovimi i gjuhëve
Vëzhgimi i zgjedhjeve
Nëpërmjet aktiviteteve këshillimore dhe vëzhguese, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe disa institucione të tjera evropiane, të tilla si OSBE-ja, ndihmojnë për të garantuar zgjedhje demokratike, të lira dhe të drejta në të gjithë kontinentin.
Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale vëzhgon në mënyrë periodike zgjedhjet lokale dhe rajonale në të 46 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Misionet e tij të vëzhgimit mbulojnë të gjithë procesin zgjedhor dhe plotësojnë aktivitetet e tij për monitorimin e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale.
Për më tepër, për të përmirësuar realizimin e duhur të zgjedhjeve, Këshilli i Evropës harton programe asistence për reformën bazë të legjislacionit zgjedhor, hartimin e listave të votuesve, trajnimin e vëzhguesve kombëtar dhe të zyrtarëve të zgjedhur.
Asambleja Parlamentare
Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale
Institucionet demokratike
Edukimi për të drejtat e njeriut dhe demokraci
Demokracia shtrihet dhe në pjesëmarrjen aktive të publikut në jetën e komunitetit, në veçanti në kuadrin e aktiviteteve të shoqërisë civile. Këshilli i Evropës zhvillon strategji dhe instrumente për të promovuar të nxënit e të drejtave të njeriut dhe të demokracisë. Karta për Edukimin për Qytetari Demokratike dhe për të Drejtat e Njeriut e Këshillit të Evropës na tregon sesi t’i vëmë në praktikë këto vlera.
Çdo vit trajnohen mbi 5,000 drejtues të rinj në Qendrat Evropiane të Rinisë të Këshillit të Evropës në Budapest dhe në Strasburg. Kurset e ofruara kanë efekt kaskadë, pasi drejtuesit e rinj ua kalojnë njohuritë që kanë marrë anëtarëve të shoqatave të tyre. Mbi 15,000 të rinj përfitojnë nga projektet e mbështetura nga Fondacioni Evropian i të Rinjve me synimin e promovimit të mirëkuptimit, tolerancës dhe solidaritetit.
Cilësia e medikamenteve dhe kujdesit shëndetësor
Misioni i Drejtorisë Evropiane të Këshillit të Evropës për Cilësinë e Medikamenteve dhe Kujdesit Shëndetësor (EDQM) është që të kontribuojë në të drejtën themelore të njeriut për qasje në ilaçe me cilësi të mirë dhe kujdes shëndetësor, si dhe për të promovuar dhe mbrojtur shëndetin e njerëzve dhe të kafshëve.
Puna e Drejtorisë Evropiane për Cilësinë e Medikamenteve dhe Kujdesit Shëndetësor përfshin fusha specifike, të tilla si medikamentet, transfuzionin e gjakut, transplantimin, si dhe artikujt kozmetikë dhe materialet e kontaktit me ushqimin. Në përputhje me misionin e saj, të gjitha aktivitetet e Drejtorisë Evropiane për Cilësinë e Medikamenteve dhe Kujdesit Shëndetësor synojnë të sigurojnë standarde optimale për mbrojtjen e shëndetit publik në të gjithë kontinentin.
Did you know?
In 1964, the Committee of Ministers of the Council of Europe declared 5 May Europe Day.
Cili personalitet politk, bëri thirrje që nga Këshilli i Evropës, për të ndërtuar ''Shtëpinë e Përbashkët Evropiane''?