Detyrimi bazë i shteteve antare është që "t’i sigurojë çdokujt brenda juridiksionit të tyre të drejtat dhe liritë që përkufizohen në Seksionin I të kësaj Konvente" (ku përfshihen, për shtetet palë në protokollet e ndryshme, detyrimi për të siguruar të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këto Protokolle).
Termi "çdokush" është shumë i gjerë:
- ai përfshin dhe jo shtetasit e shetit në fjalë ashtu siç përfshin edhe shtetasit; të drejtat nuk janë vetëm për qytetarët;
- ai përfshin dhe personat juridikë (p.sh. kompani, OQJ dhe shoqata të themeluara) ashtu siç përfshin dhe personat fizikë (p.sh. individët dhe grupet e njerëzve).
"Brenda juridiksionit të tyre" zakonisht nënkupton të njëjtën gjë si shprehja "brenda territorit të shtetit", por nëpërmjet jurisprudencës së saj Gjykata e ka shtrirë më tej termin për të përfshirë dhe rastet përjashtimore kur agjentët e një shteti (për shembull, diplomatët ose anëtarët e forcave të armatosura) të pranishëm në territorin e një shteti të huaj ushtrojnë kontroll ose kanë të drejta ndaj të tjerëve, ose në rastet kur nëpërmjet veprave ushtarake, shteti ushtron kontroll efektiv mbi një zonё përtej territorit kombëtar.
Kuptimi i disa temave teknikë
Termat e mëposhtёm kanë kuptim specifik në kuadrin e Konventës:
- Të drejta të pacilësuara janë të drejtat që nuk mund të baraspeshohen përkundrejt nevojave të individëve të tjerë, ose përkundrejt çdo interesi të përgjithshëm publik. Ato mund të jenë objekt i përjashtimeve specifike; p.sh. e drejta për t’u mos privuar nga liria, neni 5; ose nuk janë objekt i asnjë përjashtimi, kur ato quhen të drejta absolute, p.sh. ndalimi i torturës, neni 3;
- Të drejta të cilësuara janë të drejta në të cilat mund të ndërhyet në mënyrë që të mbrohen të drejtat e dikujt tjetër, ose të drejtat me interes publik, p.sh. e drejta për jetë private ose për jetë familjare, neni 8;
- Detyrimet negative i detyrojnë autoritetet shtetërore të mos veprojnë në një mënyrë që ndërhyn në mënyrë të pajustifikuar me të drejtat e Konventës. Pjesa më e madhe e të drejtave të Konventës janë të kësaj natyre;
- Detyrimet pozitive i detyrojnë autoritetet shtetërore të marrin hapa aktive për të mbrojtur të drejtat e Konventës. Në pjesën më të madhe të rasteve, këto të drejta nuk parashikohen shprehimisht në tekst, por janë sqaruar si të tilla nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.