Neni 3 thjesht parashikon se "askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese".
Kjo është një e drejtё absolute. Ndryshe nga dispozitat e Konventës, kjo dispozitë nuk ka përjashtime ose kualifikime të lejuara, dhe as që janë lejuar përjashtime apo kualifikime të tilla lidhur me të as nga Gjykata. Kjo do të thotë që as interesi publik, as të drejtat e të tjerëve, as veprimet e viktimёs, pavarësisht sesa të rrezikshme ose kriminale jenë ato, nuk mund të lejojnë trajtimin e ndaluar nga neni.
Neni 3 është atakuar në shumë situata të ndryshme, por konteksti më i zakonshëm ku ngrihen pretendime për shkeljen e tij është trajtimi i personave të cilëve u është mohuar liria. Për pasojë, policia dhe palë të tjera përgjegjëse për të burgosurit (oficerë policie, oficerë migracioni dhe persona që punojnë në qendrat e parandalimit dhe në njësi psikiatrike të siguruara) duhet t’i kushtojnë kujdes të posaçëm shkeljeve të këtij neni. Është mirë të bëhet një vlerësim i hershëm rrezikut të keqtrajtimit, në veçanti për kategoritë vulnerabël (pedofilë të dyshuar, grupe të pakicave, etj.).
"Tortura" është përkufizuar si "trajtim çnjerëzor i qëllimshëm që shkakton vuajtje shumë të rëndë dhe mizore". Shkalla e vuajtjes përbën dallimin kryesor ndërmjet torturës dhe trajtimit çnjerëzor, plus vuajtja duhet të jetë e qëllimshme, si për shembull, për të nxjerrë informacion ose për të kanosur. Fakti që informacioni mund të shpëtojë jetë njerëzish nuk e justifikon torturën. Shembuj të akteve të konstatuara nga Gjykata që çojnë në torturë përfshijnë përdhunimin, kërcënimet për cenim të familjes, të mbajturit me sy të mbyllur dhe ekzekutimet e rreme. Dhimbja mund të jetë mendore dhe fizike. Pragu për torturën është në zhvillim e sipër: për shkak të rritjes së standardeve, çfarë nuk konsiderohej si torturë 30 vite më parë sot mund të konsiderohet si torturë, (çështja Selmouni v. France, e cila lidhet me një të dyshuar që bëhet objekt sulmesh fizike). E njëjta logjikë përdoret dhe për trajtimin poshtërues.
"Trajtimi çnjerëzor" duhet të arrijë një nivel minimal ashpërsie dhe "të shkaktojë ose dëmtim trupor, ose vuajtje intensive mendore". Ai nuk është i nevojshëm që të jetë i qëllimshëm, dhe as të kryhet pёr një qëllim. Në rastin tipik të keqtrajtimit në paraburgim, kur një person është në gjendje të mirё shëndetësore përpara arrestimit ose ndalimit dhe provohet se ka pësuar dëmtim më pas, barra e provës i takon autoriteteve për të treguar që nuk është ushtruar forcё, ose që forca nuk ka qenë e tepruar, ose që ajo ka qenë e justifikuar nga sjellja e viktimës. Kufizimi i panevojshëm i një personi gjatë arrestimit, ose i një pacienti psikiatrik mund të çojë në trajtim çnjerëzor.
"Trajtimi poshtërues" përfshin poshtërim edhe nëpërkëmbje përkundrejt vuajtjes fizike dhe mendore. Ashtu si dhe në rastin e trajtimi çnjerëzor, ai nuk është e nevojshme të jetë i qëllimshëm. Më shpesh poshtëruese janë kushtet e burgimit, për shembull, kushte të pista dhe ambiente të mbipopulluara për periudha të zgjatura kohe (Kalashnikov v. Russia). Të njëjtat kushte, nëse janë majftueshmërisht të rënda mund të jenë dhe çnjerëzore. Kërkimet ‘striptizë’, dhe kur janë të justifikuara për arsye sigurie, mund të jenë poshtëruese nëse realizohen pa respektuar dinjitetin e personit, për shembull, në publik ose në sy të seksit tjetër. Izolimi nuk është domosdoshmërisht trajtim çnjerëzor ose poshtërues, por mund të konsiderohet i tillë, në vaçanti nëse zgjat. Mungesa ose refuzimi i ndihmës mjekësore mund të jetë trajtim poshtërues pasi shkakton ankth, stres ose vuajtje, veçanërisht për pacientët mendorë. Situata e kundërt është ndërhyrja e detyrueshme mjekësore, për shembull, ushqyerja e detyrueshme, e cila, megjithëse në parim nuk është çnjerëzore ose poshtëruese, mund të bëhet e tillë në rast se nuk është e detyrueshme nga pikëpamja mjekësore, ose nëse realizohet pa garanci ose respekt për individin. Krahasoni të dy rastet kur u bë ndërhyrje mjekësore për të nxjerrë drogat e kapërdira nga të dyshuarit për trafik lendësh narkotike. Në çështjen Jalloh v. Germany, u përdor me forcë një medikament për të provokuar vjelljen për të marrë prova, pavarësisht nga rezistenca e dhunshme. Mënyra sesi u bë kjo gjë ishte poshtëruese dhe mbartte rreziqe shëndetësore. Gjykata u shpreh për shkelje të nenit 3. Në çështjen Bogumil v. Portugal, operacioni për të hequr një pako kokainë nga stomaku i aplikuesit u bë në konsultim dhe në mbikëqyrje mjekësore për t’i shpëtuar jetën aplikuesit, më shumë sesa për të marrë prova. Në këtë rast Gjykata u shpreh se nuk kishte shkelje. Rëndësia e bashkërendimit të ngushtë ndërmjet oficerëve përkatës dhe mjekëve në situata të tilla është shumë e rëndësishme. Prangosja nuk është poshtëruese nëse është arsyeshmërisht e nevojshme, për shembull, për të parandaluar largimin ose dëmtimin e të tjerëve, por mund të jetë dhe poshtëruese në qoftë se personi i prangosur i nënshtrohet trajtimit spitalor, ose bën paradë me pranga në publik ose gjatë procesit gjyqësor.
Diskriminimi, për shembull, për shkaqe etnike, kur i shtohet pranisë së keqtrajtimit, mund të çojë në konstatim të shkeljes së nenit 3 me më shumë gjasa, për shembull, kur të dyshuarit romë trajtohen në mënyrë armiqësore dhe poshtëruese nga autoritetet gjyqësore dhe ekzekutive (Moldovan v. Romania No. 2).
Dëbimi dhe ekstradimi: dëbimi ose ekstradimi i një personi në një shtet tjetër ku ai haset me një rrezik real të trajtimit në kundërshtim me nenin 3 mund të çojë në shkelje nga shteti dëbues. Si në rastin e nenit 2, në pjesën më të madhe të rasteve, vendimi për dëbim, etj., merret nga niveli i lartë gjyqësor ose qeveritar. Por, kushtet e kthimit të të dëbuarit shpesh janë përgjegjësi e policisë ose e oficerëve të migracionit. Gjithmonë duhet të sigurohen kushte humane, dhe një person që është i pamundur të udhëtojë nga pikëpamja mjekësore nuk duhet të detyrohen të udhëtojnë.
Detyrimet pozitive të parashikuara në nenin 3: detyrimi për të parandaluar trajtimin në kundërshtim me nenin 3 është kryesisht funksion i qeverisë nëpërmjet hartimit të ligjeve dhe të rregulloreve. Por ai mund të ngrihet dhe në nivele pune, për shembull, kur punonjësit socialë kanë dështuar në marrjen e hapave të arsyeshme për t’i mbrojtur fëmijët nga neglizhimi serioz dhe afatgjatë prindëror, për të cilin ata kanë qenë ose duhet të kishin qenë në dijeni (Z and others v. the United Kingdom). Në rastet e grupeve vulnerabël, të tillë si, fëmijët, personat me probleme mendore ose të ndaluar, Shteti ka detyrim më të madh për të ndaluar keqtrajtimin.
Detyrimi procedural për të hetuar: si në rastin e të drejtës për jetën (neni 2), kur pretendohet shkelja e nenit 3, ekziston detyrimi për të kryer një hetim të pavarur, efektiv dhe të menjëhershëm. Për shembull, dëmtimet duhet të ekzaminohen nga pikëpamja mjekësore sa më shpejt të jetë e mundur për të përcaktuar sesi kanë ndodhur ato. Policët dhe zyrtarët e tjerë duhet të mbajnë të dhёna të mira dhe të sakta për veprimet e kryera, dhe në rast se akuzohen për keqtrajtim, duhet të bashkëpunojnë plotësisht me çdo hetim.