Back “Përfitimi nga shkëmbimi i eksperiencave ndërmjet kolegëve”

“Përfitimi nga shkëmbimi i eksperiencave ndërmjet kolegëve”

Gjatë muajve mars – prill u organizuan në Berat, Durrës dhe Vlorë tri aktivitete shkëmbimi përvojash mes kolegësh që synonin forcimin e lidhjeve midis 21 shkollave pilote dhe përmirësimin e komunikimit dhe të punës në grup. Më shume se 100 mësues nga 21 shkollat pilote shkëmbyen ide dhe praktika, forcuan frymën e dialogut  dhe ndërtuan një rrjet bashkëpunimi që do të vazhdojë edhe pas përfundimit të projektit.

Fokusi i projektit për këtë vit është hartimi i politikave të shkollës kundër bullizmit në 21 shkollat pilote dhe në këtë kuadër, këto evente kontribuan në mënyrë të konsiderueshme në forcimin e procesit të politik-bërjes ndërmjet ekipeve duke përdorur një qasje gjithëpërfshirëse dhe me pjesëmarrje, si dhe duke ndarë përvojat gjatë organizmit të Ditëve të Hapura kundër Bullizmit dhe përfshirjes së komunitetit.

Pjesëmarrësit u shprehën të kënaqur nga metodologjia e aktivitetit dhe u shprehën se ndiheshin më të motivuar dhe që kishin fituar një kuptim më të mirë të të gjithë procesit të hartimit të politikave dhe të rëndësisë që ka arritja e një vizioni të përbashkët, një strategjie të qartë dhe bashkëpunimi me të gjithë aktorët.

Përfitova një kuptim më të mirë të të gjithë procesit të hartimit të politikës dhe mendoj se si ekip tani kemi një strategji më të qartë” – u shpreh drejtuesja e ekipit të shkollës "Beqir Cela". “U ndjemë të mirëpritur dhe të vlerësuar gjatë gjithë aktivitetit dhe mësuam shumë” – theksoi një anëtar i ekipit të shkollës "Europa". “Ishte një aktivitet mjaft frytdhënës me anë të të cilit morëm mësime të rëndësishme për të ardhmen e punës sonë si grup dhe si shkollë” – u shpreh një nga pjesëmarrësit.

Këto aktivitete u organizuan në kuadër të projekti  të përbashkët të Bashkimit Evropian/Këshillit Evropë “Lufta kundër bullizmit dhe ekstremizmit në sistemin arsimor në Shqipëri”, pjesë e programit "Instrumenti Horizontal".

 

Shqipëri 18 prill 2018
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page