Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës Financiare, organizuan tryezën konsultuese për përmirësimin e draft-Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (2024-2030). Duke qenë e para e këtij lloji, Strategjia ka ndjekur një proces gjithëpërfshirës dhe është në fazën përfundimtare të hartimit të saj.
Rishikimi i draft-Strategjisë nga eksperti me përvojë i Këshillit të Evropës ishte në qendër të diskutimeve të përfaqësuesve të autoriteteve publike përgjegjëse, aktorëve të interesuar dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ata ndanë komente dhe njohuri shtesë në këndvështrimin e ekspertizës së ofruar si dhe në kuadër të sfidave dhe mjeteve gjithmonë në zhvillim në fushën e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Në fjalën e tij, Olsi Dekovi, Zëvendës Kreu i zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, theksoi se: “Hartimi i kësaj Strategjie përbën një zhvillim të rëndësishëm sidomos pas finalizimit të Vlerësimit të katërt Kombëtar të Riskut i kryer në përputhje me metodologjinë e Këshillit të Evropës dhe i paraprin procesit të ardhshëm të vlerësimit të Shqipërisë nga MONEYVAL, proces ky i planifikuar gjatë vitit të ardhshëm”.
Drejtuesi i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Ervin Koçi, shprehu vlerësimet për ekspertizën e ofruar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës për përmirësimin e këtij dokumenti strategjik, i cili do të përforcojë sigurinë kombëtare si dhe do t’i shërbejë autoriteteve përgjegjëse për zbutjen në mënyrë efektive të risqeve në fushën e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit si dhe në forcimin e bashkëpunimit ndër-institucional.
Lenka Vitkova, Shefe sektori në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, vendosi theksin në rëndësinë e përafrimit të legjislacionit shqiptar me legjislacionin dhe prioritetet e Bashkimit Evropian, veçanërisht në një moment si ky, kur Bashkimi Evropian ka përforcuar rregullat në këtë fushë me ngritjen e një strukture të posacme si ajo e Autoritetit Evropian për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizimit (AMLA) në Frankfurt.
Vlerësimi i kryer nga Këshilli i Evropës ofroi një set të plotë rekomandimesh strategjike për të forcuar më tej përpjekjet e Shqipërisë në parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, nëpërmjet forcimit të kuadrit ligjor dhe rregullator, rritjes së kapaciteteve institucionale, përmirësimit të sistemit të përputhshmërisë dhe mbikqyrjes, shfrytëzimit të teknologjisë dhe inovacionit, nxitjes së bashkëpunimit ndërkombëtar si dhe promovimit të ndërgjegjësimit publik dhe angazhimit të aktorëve të sektorit privat. Duke adresuar mangësitë e identifikuara dhe duke miratuar rekomandimet e dhëna, Shqipëria mund të rrisë ndjeshëm qëndrueshmërinë e saj ndaj formave të ndryshme të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke siguruar një mjedis financiar të sigurt dhe transparent.
Ky aktivitet u organizua bashkarisht nga Grupi Teknik Ndër-Institucional i Punës (GTNP), drejtuar nga Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri, në kuadrin e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës, Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.