Back Autoritetet shqiptare ritheksojnë angazhimin për bashkëpunimin kundër krimit ekonomik

Autoritetet shqiptare ritheksojnë angazhimin për bashkëpunimin kundër krimit ekonomik

Përfaqësues të lartë të institucioneve kryesore përfituese të projektit Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri vlerësuan progresin e arritur gjatë nëntë muajve të kaluar, duke vënë fokusin në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe konsolidimin e kapaciteteve të tyre në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Në fjalën e tij, Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, theksoi asistencën e dhënë nga projekti në kuadër të ngritjes së Zyrës së Rikuperimit të Aseteve, si një hap i rëndësishëm për Shqipërinë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe luftën kundër krimit ekonomik.

Përfaqësuesi i Agjencisë së Inteligjencës Financiare nënvizoi suportin teknik dhe udhëzues për Vlerësimin e 4-t Kombëtar të Riskut ndaj Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, i cili u zhvillua mbi bazën e metodologjisë së Këshillit të Evropës. Raporti i vlerësimit krijon bazën për zbatimin efektiv të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit nëpërmjet një përpjekjeje të koordinuar të aktorëve të sektorit publik dhe privat.

Në të njëjtën linjë, përfaqësues të institucioneve të  tjera përfituese shprehën vlerësimet e tyre për qasjen proaktive dhe mbështetjen e dedikuar të projektit ndaj nevojave të tyre institucionale, si dhe hodhën propozime për ndërhyrje të reja që mund të zbatohen gjatë projektit.

Më tej, pjesëmarrësit diskutuan për planin e aktiviteteve për periudhën e ardhshme 6-mujore dhe konfirmuan edhe njeherë rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në parandalimin dhe luftën kundër krimit ekonomik.

Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri është pjesë e Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë III, një program i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe i Këshillit të Evropës.

 

 

Online 12 dhjetor 2023
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page