Back Edukimi në Kohë Emergjencash dhe Krizash – nis së shpejti pilotimi

Edukimi në Kohë Emergjencash dhe Krizash – nis së shpejti pilotimi

Një grup pune i përbashkët me përfaqësues të autoriteteve shqiptare, ekspertë të Këshillit të Evropës, dhe përfaqësues nga Departamenti për Arsimin pranë Këshillit të Evropës u mbajt në Vjenë më 24-25 prill 2024 për të shkëmbyer mendime mbi Strategjinë e Arsimit të Këshillit të Evropës, të miratuar së fundmi, dhe zbatimin e prioriteteve, duke përfshirë ato nga Samiti i Rejkjavikut, dhe paketën e instrumenteve të Këshillit të Evropës mbi Arsimin në Kohë Emergjencash dhe Krizash me synimin pë ta pilotuar këtë paketë në Shqipëri.

Paketa e instrumenteve është krijuar për të mbështetur zbatimin e Rezolutës të miratuar nga Konferenca e Ministrave Evropianë përgjegjës për Arsimin në vitin 2023, për të ndihmuar shtetet anëtare të zbatojnë gjashtë parimet e Këshillit të Evropës që synojnë ndërtimin e ekosistemeve të qëndrueshme arsimore që përfaqësojnë qëllimet kryesore të sistemeve dhe komuniteteve arsimore për politika dhe veprime në të gjitha nivelet e qeverisjes, dhe promovimin e gjithëpërfshirjes dhe ofrimit të arsimit cilësor në çdo kohë dhe pavarësisht nga lloji i krizës.

Gjetjet fillestare nga pilotimi i parë, që vijon aktualisht në rajonin Friuli-Venezia-Giulia në Itali, u prezantuan nga ekspertët e Këshillit të Evropës duke theksuar nivelin e lartë të angazhimit të autoriteteve vendore, por edhe mundësitë në vijim të këtij pilotimi për bashkëpunime të reja ndërmjet autoriteteve të ndryshme, partnerëve privatë dhe Organizatave të Shoqërise Civile.

Në fjalën e tij, Villano Qiriazi, Kreu i Departamentit të Arsimit në Këshillin e Evropës, theksoi se kjo punë mbështet edhe zbatimin e Strategjisë së Arsimit të Këshillit të Evropës, duke vënë nxënësit të parët dhe se rezultatet e pilotimeve dhe përvoja e marrë në Shqipëri dhe Itali do të ndihmojnë në përmirësimin e paketës, në mënyrë që shtetet e tjera anëtare të mund ta integrojnë më lehtë brenda konteksteve të tyre.

Ambasadorja Eglantina Gjermeni theksoi se pilotimi i paketës jo vetëm që do të ndërtojë ekosisteme arsimore më rezilientë, por çka është më e rëndësishme, do të fuqizojë nxënësit.

Përfaqësuesit e autoriteteve shqiptare dhe pjesëmarrësit në takim konfirmuan interesin e tyre për të qenë një vend pilot, dhe pilotimi pritet të nisë në Shqipëri në qershor të vitit 2024 me synim që rezultatet të paraqiten në takimin e Komitetit Drejtues për Arsimin (CDEDU) në vitin 2025.

Në Shqipëri, Ministria e Arsimit dhe Sportit mbështetet nga projekti i Këshillit të Evropës “Forcimi i Edukimit për Qytetari Demokratike në Shqipëri”, financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida) si pjesë e projektit për nxitjen e kompetencave dhe kuturës demokratike.

Vienë, Austri 24-25 Prill 2024
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page