Back Maturantët e “Qemal Stafës“ në Tiranë praktikohen për të votuar në zgjedhjet parlamentare

Maturantët e “Qemal Stafës“ në Tiranë praktikohen për të votuar në zgjedhjet parlamentare

Rreth 107 mijë të rinj do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 25 prillit për parlamentin e Shqipërisë. Për të informuar votuesit për herë të parë në lidhje me procesin zgjedhor dhe për të inkurajuar pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje, Këshilli i Evropës ka mbështetur një program edukimi në të gjitha shkollat ​​e mesme publike në vend. Programi zbatohet nga Akademia e Studimeve Politike, në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Në kuadër të këtij programi, Kreu i zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Jutta Gützkow dhe Komisioneri Shtetëror, Ilirjan Celibashi, ndoqën sot nga afër ushtrimin e votimit të maturantëve të shkollës së mesme "Qemal Stafa" në Tiranë.

Në fjalën e saj znj. Gützkow nënvizoi se e drejta për zgjedhje të lira është pjesë e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të mbrojtura nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ajo ftoi të rinjtë të - "... shfrytëzoni të drejtën tuaj për të votuar, shkoni të votoni të djelën, bëni që zëri juaj të dëgjohet dhe thoni fjalën tuaj në përbërjen e parlamentit të ardhshëm."

Z. Celibashi theksoi rëndësinë e edukimit dhe ndërgjegjësimit të maturantëve që votojnë për herë të parë në këto zgjedhje. "Shpresoj që ju do t’i transmetoni këto njohuri që keni përfituar gjatë programit edhe të familjarët dhe shokët tuaj jashtë shkollës. Do t’ju ftoja edhe njëherë që të ushtroni këtë të drejtë dhe mundësi që ju është ofruar për të vendosur për të ardhmen tuaj", tha Komisioneri.

Ai gjithashtu falënderoi Këshillin e Evropës, Akademinë e Studimeve Politike dhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për bashkëpunimin që bëri të mundur, edhe në këtë situatë pandemie, zbatimin e programit të informimit të maturantëve që votojnë për herë të parë.

Drejtori i Akademisë së Studimeve Politike, Erjon Tase, tha “Sot, ne jemi duke përfunduar programin e edukimit dhe ushtrimit praktik të votimit për rreth 35 mijë maturantë në të gjitha shkollat ​​e vendit. Jemi të kënaqur të shohim një ndërgjegjësim dhe interes të rritur në mesin e të rinjve, madje edhe në zonat më të largëta, ndaj risive të sistemit zgjedhor dhe votës preferenciale".

Së fundmi, të ftuarit ndoqën studentët, votues për herë të parë, të cilët organizuan një proces të simuluar të votimit në klasën e tyre për tre kandidatë dhe morën rolet përkatëse si kandidatë, komisionerë, vëzhgues, etj. Nëpërmjet këtij ushtrimi synohet praktikimi i tyre me procedurën e votimit duke evituar parregullsitë e mundshme në ditën e zgjedhjeve.

 

 

 

 

 

Tiranë 21 prill 2021
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page