Back Ceremonia e diplomimit të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike 2019

Ceremonia e diplomimit të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike 2019

Një grup prej 27 udhëheqësish të rinj politikë, aktivistëve civilë dhe nëpunësve publikë, u diplomuan nga "Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike", një shkollë e ngritur nga Këshilli i Evropës dhe e mbështetur nga Zvicra. Të diplomuarit përfunduan me sukses një cikël njëvjeçar studimi, i cili përfshin lektrime, vizita studimore dhe punime kërkimore fokusuar mbi mirëqeverisjen dhe reformat e rëndësishme në vend.

Nënkryetarja e Parlamentit znj. Vasilika Hysi, Ambasadori Zviceran në Tiranë, z. Adrian Maître dhe Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë znj. Jutta Gützkow, shpërndarë certifikatat dhe përgëzuan pjesëmarrësit për këtë moment të rëndësishëm.

Zonja Hysi, duke vlerësuar nivelin e lartë professional të pjesëmarrësve në programin e Shkollës, i ftoi ata që të ofrojnë ekspertizën e tyre pranë komisioneve parlamentare. “Është në interes të vendit, të Akademisë dhe të Kuvendit të Shqipërisë, që të gjithë ju pjesëmarrës dhe alumnë të angazhoheni në strukturat e Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me integrim evropian dhe të kontribuoni me ekperiencën tuaj në këto procese”, u shpreh znj.Hysi.

Ambasadori Maître nënvizoi në fjalën e tij: “Ndryshimi pozitiv vjen nga ata individë dhe grupe me vlera, ide dhe vizione të reja. Gjithashtu, duke patur guximin e duhur për t’i çuar përpara dhe vënë në jetë këto vlera dhe ide. Unë shoh sot tek ju 27 agjentë të ndryshimit”.

Zonja Gützkow theksoi rolin e rëndësishëm që luan Shkolla dhe rrjeti i saj alumni për transmetimin e vlerave të Këshillit të Evropës në Shqipëri. “Demokracia nuk duhet të konsiderohet asnjëherë si dicka e sigurtë. Falë angazhimit tuaj si udhëheqës dhe qytetarë aktivë në këtë Shkollë dhe më gjerë, mund të gjeni përgjigjet e duhura ndaj rreziqeve që i kanosen sot demokracisë”.

Drejtori i Akademisë së Studimeve Politike, z. Erjon Tase, falenderoi partnerët për mbështetjen e tyre. “Shoqëria shqiptare ka nevojë sot për dialog politik dhe besim për një të ardhme më të mirë. Të diplomuarit e sotëm, përbëjnë një shembull pozitiv dhe ofrojnë shpresë edhe për ata të rinj të zhgënjyer që duan të largohen nga Shqipëria”, u shpreh ai.

Dy të diplomuar, z. Florian Tahiri, Nënkryetar i Bashkisë Durrës dhe znj. Bjorka Duka, asistente e Ministres së Drejtësisë, përshëndetën pjesëmarrësit në emër të gjeneratës së tyre.

Pjesë e ceremonisë ishte dhe prezantimi i historisë së suksesit të alumni Admir Malaj, për aktivizimin e tij qytetar katër vjecar së bashku me studentët e departamentit të Farmacisë në aderimin e vendit tonë në konventën e Këshillit të Evropës për sigurinë farmaceutike “Farmakope”.

Ceremonia vazhdoi më tej me takimin vjetor festiv të rrjetit alumni të shkollës. Shkolla krenohet me mbi 300 alumnët e saj, të cilët aktivizohen në iniciativa të ndryshme kombëtare dhe rajonale edhe pas përfundimit të programit.


Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike u themelua në Shqipëri në vitin 2007 nga Këshilli i Evropës dhe është pjesë e një rrjeti të gjerë të shkollave në 21 vende me demokraci të reja të Evropës Lindore dhe Juglindore. Shkolla është mbështetur gjithashtu nga Ambasada e Zvicrës gjatë shtatë viteve të fundit së bashku me programin e saj të trajnimit të autoriteteve të qeverisjes vendore. Shkolla synon promovimin e një kulture moderne politike bazuar në vlerat e pluralizmit, tolerancës dhe dialogut dhe në ndërtimin e një komuniteti të liderëve të rinj politikë dhe demokratikë.

 

Tiranë 17 janar 2020
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page