Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës po mbështesin Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD) në Shqipëri lidhur me metodologjinë për përgatitjen dhe kryerjen e misioneve klasike tematike të inspektimit, bazuar në standardet dhe praktikat më të mira evropiane.
Pjesëmarrës në një seminar trajnimi të organizuar në Tiranë, me ekspertizën dhe kontributin e përbashkët të Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) dhe Projektit EU4Justice Project, 35 anëtarë të stafit të ILD-së, patën mundësinë të përfitojnë nga përvojat franceze dhe rumune mbi inspektimet tematike.
Seminari u shoqërua nga një inspektim i organizuar në Prokurorinë e Durrësit, i lehtësuar nga ekspertë ndërkombëtarë dhe do të vijojë me rekomandime dhe përgatitjen e një udhëzuesi për inspektimet tematike.
Ky aktivitet vjen pas seminareve të mëparshme trajnuese mbi standardet evropiane për inspektimin gjyqësor, me qëllim rritjen e kapaciteteve të inspektorëve dhe ndihmës inspektorëve të ILD-së në Shqipëri.
Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit Forcimi i Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Shqipëri (SEJIV), pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë (Instrumenti Horizonatl III), i bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga Këshilli i Europës.