Këshilli i Evropës organizoi Forumin e Burimeve Njerëzore në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Departamentin e Administratës Publike. Forumi mblodhi përfaqësues të informacioneve kyçe partnere përfshirë Shkollën Shqiptare e Administratës Publike, Komisionerin për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil, njësitë e burimeve njerëzore në nivel qëndror dhe vendor të cilët diskutuan mbi digjitalizimin e proceseve të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe zhvillimin e kapaciteteve të nëpunësve publikë.
Fokusi kryesor i diskutimeve mes profesionistëve pjesëmarrës ishte transformimi digjital i proceseve të menaxhimit të burimeve njerëzore i cili do të sjellë unifikim procedurash, rritje të transparencës dhe përgjegjshmëri në administratën publike.
Në fjalën e saj përshëndetëse Giulia Re, Kreu i zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë theksoi rolin që mjetet digjitale luajnë në garantimin e një zbatimi të unifikuar të proceseve të menaxhimit të burimeve njerëzore në të gjithë nivelet e administratës publike.
Bisedimet gjatë forumit nënvizuan rëndësinë e përmirësimit dhe inovacionit të vazhdueshëm në Menaxhimin e Burimeve Njerëzore për të krijuar një administratë publike më efektive dhe të përgjegjëshme.
Ky aktivitet u mbështet në kuadër të projektit Mbështetja e Reformës së Administratës Publike në Nivel Vendor në Shqipëri, financuar nga Republika Federale Gjermane.