Back Përmirësimi i financimit të fushatës zgjedhore dhe proçesit të dekriminalizimit në vështrim të reformës së ardhshme zgjedhore në Shqipëri

Komunikim per Mediat
Përmirësimi i financimit të fushatës zgjedhore dhe proçesit të dekriminalizimit në vështrim të reformës së ardhshme zgjedhore në Shqipëri

Një nga konkluzionet kryesore të Konferencës “Financimi i fushatës zgjedhore, (keq)përdorimi i burimeve të administratës publike dhe dekriminalizimi: Sfidat e hasura në zgjedhjet e 25 prillit dhe rekomandimet”, organizuar dje në Tiranë ishte “Angazhimi politik për zbatimin e plotë të legjislacionit zgjedhor në mirëbesim është një element bazë i zgjedhjeve të suksesshme dhe një reformë e suksesshme zgjedhore kërkon konsensus të gjerë, konsultime të gjera publike me të gjithë aktorët përkatës, dialog dhe bashkëpunim besnik të të gjthë aktorëve”. Aktiviteti mblodhi së bashku përfaqësues të partive kryesore politike, institucioneve shtetërore, ekspertë dhe aktorë të shoqërisë civile për të diskutuar mbi përmirësimin e kuadrit ligjor dhe përparimin e axhendës të reformës së re zgjedhore në Shqipëri.

Në fjalën e saj, Jutta Gützkow, Shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë inkurajoi partitë politike dhe institucionet përgjegjëse që të nisin punën për rishikimin e Kodit Zgjedhor dhe Ligjit për Partitë Politike për të adresuar mangësitë kryesore të evidentuara gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare të 25 prillit 2021. “Një ligj zgjedhor koherent i përgatitur në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe i rënë dakord me konsensus shumë përpara zgjedhjeve lehtëson organizimin e zgjedhjeve dhe siguron besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor”, theksoi Gützkow.

Ambasadori Reinout Vos nënvizoi se për Holandën është e rëndësishme që shoqëria civile të jetë mjaft e fortë për të luajtur rolin e saj vendimtar kur bëhet fjalë për rritjen e transparencës së proceseve zgjedhore apo reformave në vend, duke e afruar Shqipërinë me standardet Evropiane dhe ndërkombëtare dhe praktikat e mira në çështjet zgjedhore. “Procesi i reformës zgjedhore në Shqipëri, sigurimi i financimit transparent të partive politike dhe fushatave elektorale, si një nga rekomandimet kyçe të ODIHR-it të pasqyruara në konkluzionet e Këshillit të BE-së, është një prioritet i rëndësishëm. Do të jetë reflektim i pjekurisë politike, asaj që duan dhe meritojnë shqiptarët”, theksoi ambasadori Vos.

Në fjalën e tij, Alexis Hupin, Shef i Seksionit Politik në Delegacionin Europian në Shqipëri theksoi se reformat e mëtejshme në financimin e partive duhet të udhëhiqen nga tre drejtime kryesore të punës. “Rëndësia e transparencës në dritën e diskutimeve gjatë javës së integritetit, rëndësia e dixhitalizimit së bashku me miratimin e një kuadri rregullator të mbrojtjes së të dhënave në përputhje me acquis të BE-së dhe së fundi, mbështetje e mëtejshme dhe ngritje kapacitetesh për KQZ-në.

Ilirjan Celibashi, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve theksoi “rëndësinë e fillimit të një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe në kohë për të zbatuar plotësisht rekomandimet e fundit të OSBE/ODIHR. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë do të mirëpriste një rol këshillues në një proces të tillë pasi në fund të fundit është prerogativë e tij të zbatojë ligjin zgjedhor. Çështjet si përdorimi i burimeve publike, financimi i partive politike dhe dekriminalizimi, kërkojnë të trajtohen me përgjegjësi dhe seriozitet për të garantuar transparencën dhe llogaridhënien“.

Standardet kryesore të Këshillit të Evropës në lidhje me keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe financimin e fushatave elektorale u ndanë dhe u diskutuan me pjesëmarrësit duke përfshirë kriteret e shpërndarjes së fondeve publike, kufizimet e shpenzimeve, financimin e kandidatëve si dhe auditimin e financave të fushatës zgjedhore.

Akademia e Studimeve Politike zhvilloi konsultime dhe aktivitete për ngritjen e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile dhe medias, të cilat më pas monitoruan zbatimin e legjislacionit të rishikuar zgjedhor për financimin e fushatës zgjedhore dhe (keq)përdorimin e burimeve shtetërore si instrument i drejtpërdrejtë në nxitjen e llogaridhënies dhe transparencës. Gjithashtu, Instituti për Studime Politike monitoroi zbatimin e Ligjit të Dekriminalizimit në lidhje me subjektet zgjedhore në kuadër të projektit “Dekriminalizimi dhe transparenca në Shqipëri për politikanë, zgjedhje dhe zyrtarë publikë të pastër”.

Të dhënat e monitorimit nga të dy nismat ofruan një sërë rekomandimesh për përmirësimin e zbatimit të kuadrit ligjor, në funksion të reformës së re zgjedhore në Shqipëri.

Ky aktivitet u organizua me mbështetjen e Veprimit kundër Krimit Ekonomik, pjesë e iniciativës së përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-21022”, faza II dhe Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Tiranë.

 

 

Tirana 15 December 2021
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page