Përfaqësues të institucioneve vendore dhe qendrore shqiptare u mblodhën në Korçë për të diskutuar mbi masat konkrete për avancimin e integrimit të fëmijëve rom dhe egjiptianë në arsim, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës. Ky aktivitet u organizua në funksion të një vendimi të fundit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) për Shqipërinë, i cili konstatoi diskriminim në bazë etnike në lidhje me të drejtën e fëmijëve rom dhe egjiptianë për arsim gjithëpërfshirës, si dhe dështimin e autoriteteve kombëtare në zbatimin e masave desegreguese në një shkollë në qarkun e Korçës.
Përfaqësues nga Avokatura e Shtetit, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ministritë përkatëse dhe autoritetet vendore, diskutuan dhe komentuan në mënyrë aktive masat që do të ndërmerren për të mbështetur zbatimin e vendimit. Diskutimet u fokusuan gjithashtu në përpjekjet për të ruajtur sinergjitë ndërinstitucionale gjatë gjithë procesit dhe sigurimin e zgjidhjeve të qëndrueshme për të shmangur segregimin në shkolla në të ardhmen.
Takimi ishte një hap përpara drejt përmbushjes së detyrimeve të Shqipërisë sipas vendimit të GJEDNJ-së në fjalë dhe mbrojtjes më të mirë të të drejtave të njeriut në vend. Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe palëve të interesuara tregoi përkushtim ndaj shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri. Pas rezultateve të takimit, Avokatura e Shtetit Shqiptar do të finalizojë planin e veprimit, i cili do të udhëzojë autoritetet përkatëse kombëtare për të ekzekutuar vendimin.
-------------------------------------------------- ----------------------------------
Aktiviteti u organizua në kuadër të projekteve ‘Përmirësimi i mbrojtjes së të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së në Shqipëri’ dhe ‘Fuqizimi i mbrojtjes nga diskriminimi në Shqipëri’, në kuadër të “Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Türkiye III”, dhe në bashkëpunim me programin e përbashkët të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës “Promovimi i qeverisjes së mirë dhe fuqizimit të komunitetit Rom në nivel vendor”, nisma të bashkëfinancuara nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe të zbatuara nga Këshilli i Evropës.