Back Nisja e programit ROMACTED në mbështetje të integrimit rom në nivel vendor

Nisja e programit ROMACTED në mbështetje të integrimit rom në nivel vendor

Konferenca hapëse e programit të përbashkët rajonal të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Europës ROMACTED “Promovimi i Qeverisjes së Mirë dhe Fuqizimit Rom në Nivelin Vendor” u zhvillua më 22 shkurt, në Tiranë. Përfaqësues të nivelit të lartë të autoriteteve vendore shqiptare, grupeve komunitare të veprimit, shoqërisë civile rome dhe pro-rome, agjencive të zhvillimit dhe komunitetit ndërkombëtar morrën pjesë në aktivitet.

Në fjalën hapëse, Claus Neukirch, Kreu i Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, nënvizoi kontributin e vazhdueshëm të Këshillit të Europës për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe të politikave mbi të drejtat e njeriut dhe antidiskriminimin dhe zbatimin në nivel vendor dhe qendror në përputhje me standartet evropiane.

Për Sylvain Gambert, Zëvendës Shef i Sektorit Politik, Ekonomik dhe të Informacionit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, “ROMACTED përbën një shembull të mbështetjes së Bashkimit Evropian për Shqipërinë dhe të gjithë rajonin, veçanërisht në zbatim të politikave specifike rome në nivel vendor. Uroj që shtatë bashkitë që iu bashkuan programit do të shndërrohen në modele për tu ndjekur në të gjithë vendin dhe rajonin”, shtoi Gambert.

Aurora Ailincai, Shefe e Njësisë së Partneriteteve Strategjike në Ekipin për Romët dhe Udhëtarët pranë Këshillit të Evropës, uroi kryetarët e bashkive duke shprehur besimin në angazhimin e tyre të vazhdueshëm për integrimin rom në nivel vendor.

Memorandumet e Mirëkuptimit si një kuadër i bashkëpunimit trepalësh u nënshkruan prej Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe secilës prej bashkive të Elbasanit, Pogradecit, Korçës, Fierit, Roskovecit, Vlorës and Përmetit. Aktiviteti shërbeu edhe si një platformë për shkëmbimin ndër-institucional mbi zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve në Shqipëri.

Konferenca hapëse u parapri prej trajnimit kombëtar mbi “Planifikimin Vendor Strategjik me Pjesëmarrje”, organizuar më 21 shkurt në Tiranë, me fokus në hapat metodologjikë ROMACTED, që do të zbatohen në muajt në vijim gjatë proceseve të planifikimit me pjesëmarrje në shtatë bashkitë e synuara.

Programi ROMACTED synon të ndërtojë vullnet politik dhe angazhim të qëndrueshëm në nivel politikash të autoriteteve vendore, për të përmirësuar qeverisjen demokratike vendore dhe fuqizimin e komuniteteve rome. Programi zbatohet prej Ekipit për Romët dhe Udhëtarët pranë Këshillit të Evropës dhe Zyrës së Drejtorit së Përgjithshëm të Programeve dhe do të mbulojë përafërsisht 50 bashki në 7 vende përfituese të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.

 

tiranë 23 shkurt 2018
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page