Back Zgjedhjet vendore në Shqipëri: kryesisht të mirëadministruara, por mungesë fokusi në çështjet vendore

Zgjedhjet vendore në Shqipëri: kryesisht të mirëadministruara, por mungesë fokusi në çështjet vendore

Me ftesë të autoriteteve shqiptare, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës nisi drejt Shqipërisë një mision për të vëzhguar zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 në 61 bashki. Misioni i Kongresit u kryesua nga Stewart Dickson (Mbretëria e Bashkuar, ILDG) dhe përbëhej nga 20 vëzhgues të Kongresit, duke përfshirë 15 anëtarë të Kongresit, një ekspert dhe katër anëtarë të Sekretariatit nga 16 vende.

Vendosja në terren ditën e zgjedhjeve u parapri nga takime përgatitore në Tiranë më 12 dhe 13 maj me përfaqësues të trupit diplomatik, OJQ vendase dhe ndërkombëtare, shoqata kombëtare të pushtetit vendor si dhe media. Më tej, delegacioni i Kongresit takoi Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi, dhe Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, z. Olsian Çela.

Takim informues u zhvillua edhe me ekipin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve dhe Vëzhguesit Afatgjatë të OSBE/ODIHR-it, së bashku me delegacionin nga Parlamenti i BE-së. Programi përgatitor u përmbyll me takime me kandidatët konkurrues në zgjedhjet vendore dhe përfaqësues të partive, si dhe anëtarë të delegacionit shqiptar në Kongres.

Në ditën e zgjedhjeve, dhjetë ekipe të Kongresit u vendosën në qytete, qyteza dhe zona rurale në të gjithë vendin. "Mirëpresim mënyrën paqësore në të cilën u zhvilluan zgjedhjet. Megjithatë, çështje të kahershme shqetësuese për Kongresin përfshijnë vështirësitë teknike dhe procedurale në ditën e zgjedhjeve, përfaqësimin e ulët të grave si kandidate dhe në administratën zgjedhore, mungesa e aksesit në qendrat e votimit për votuesit me aftësi të kufizuara”, tha Stewart Dickson.

“Përveç kësaj, zgjedhjet vendore duhet të jenë mjet që njerëzit të vendosin për prioritetet e çështjeve vendore, gjë që fatkeqësisht, si në rastet e mëparshme, nuk ishte rasti as në këto zgjedhje”, theksoi ai me keqardhje.

Misioni u përmbyll me një konferencë të përbashkët për shtyp me OSBE/ODIHR-in dhe Parlamentin Evropian të hënën, më 15 maj 2023, në Hotel Tirana International.

Draft raporti dhe rekomandimi i Kongresit do të dorëzohet për miratim në seancën e 45-të të Kongresit në tetor.

Shiko gjithashtu:

 

 

Strazburg 19 Maj 2023
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page