Back Dita Kombëtare Kundër Bullizmit festohet në Shqipëri

Dita Kombëtare Kundër Bullizmit festohet në Shqipëri

Më 21 nëntor 2018 u organizua për herë të parë në Shqipëri Dita Kombëtare Kundër Bullizmit. Në kuadër të kësaj dite, Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) organizuan një sërë aktivitetesh ndërgjegjësuese në të gjithë vendin, me përfshirjen e 21 shkollave pilote të Instrumentit të përbashkët Horizontal të BE/KiE “Lufta kundër bullizmit dhe ekstremizmit në sistemin arsimor në Shqipëri”.

Në Tiranë, pesë shkollat pilote të projektit organizuan një aktivitet të përbashkët me pjesëmarrjen e 250 nxënësve dhe mësuesve për ti thënë “JO BULLIZMIT”. Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të Kreut të Zyrës në detyrë të Këshillit të Evropës në Tiranë, z. Olsi Dekovi dhe znj. Tatjana Vuçani, përfaqësuese të MASR-së, të cilët e vunë theksin tek rëndësia e nxitjes së një kulture gjithëpërfshirëse, të sigurt dhe demokratike në shkolla ku diversiteti respektohet, vlerësohet dhe festohet. Programi u bazua tek përcjellja e mesazheve për paqe, tolerancë, unitet dhe respekt për diversitetin, si mënyra për të parandaluar dhe reduktuar fenomenin e bullizmit në shkolla.

Aktiviteti u përmbyll me krijimin e “Kopshtit të miqësisë” pranë Parktu të Madh të Liqenit Artificial në Tiranë, ku nxënësit mbollën 21 pemë si simbol të ditës dhe të punës së 21 shkollave pilote të përfshira në projekt.

Krahas këtij aktiviteti, aktivitete të shumta ndërgjegjësuese u organizuan në 21 shkollat pilote dhe komunitetet respektive në mbarë vendin në Dibër, Kukës, Lezhë, Durrës, Shkodër, Tiranë, Elbasan, Gjirokastër, Vlorë, Fier, Berat, dhe Korçë. Këto aktivitete mblodhën së bashku nxënës, mësues, prindër dhe përfaqësues të tjerë të shkollave dhe komunitetit për të përçuar mesazhin e përgjithshëm se bullizmi dhe sjelljet ekstremiste nuk tolerohen tek bashkëmoshatarët në shkollë. Sesionet informuese me mësuesit, nxënësit dhe prindërit, si dhe aktivitetet në klasa, projektimi i filmave kundër bullizmit, bisedimet me mediat lokale mbi këto çështje, debatet e hapura, skicimet, shfaqjet artistike dhe performancat ishin disa nga aktivitetet që u organizuan njëherësh në 21 shkollat pjesëmarrëse. Aktivitetet u ndoqën dhe u pasqyruan në kanalet kryesore mediatike në Shqipëri.

Akviteti u organizua në kuadër të projektit “Lufta kundër bullizmit dhe ekstremizmit në sistemin arsimor në Shqipëri”, pjesë e Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe i zbatuar nga Këshilli i Evropës.

 

 

Albania 26 nëntor 2018
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page