Back Prezantimi i Udhërrëfyesit për parandalimin e bullizmit në sistemin arsimor në Shqipëri

Prezantimi i Udhërrëfyesit për parandalimin e bullizmit në sistemin arsimor në Shqipëri

Më 12 dhjetor 2018, në kuadër të projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës “Lufta kundër bullizmit dhe ekstremizmit në sistemin arsimor në Shqipëri”, u organizua në Tiranë një tryezë e rrumbullakët për prezantimin e “Udhërrëfyesit për politika që synojnë parandalimin e bullizmit në sistemin arsimor në Shqipëri”.

Udhërrëfyesi, që konsiderohet edhe si produkti më i rëndësishëm i projektit, është një dokument politik që është përgatitur bazuar në praktikat dhe përvojat e 21 shkollave pilote. Ky dokument, që do të shtrihet në nivelin e politikave në Shqipëri, është hartuar duke u mbështetur në përvojat e shkollave pilot dhe standardet e Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte prezantimi i rekomandimeve të dala nga Udhërrëfyesi të cilat bazohen në dëshmi dhe propozojnë një sërë veprimesh politike për politikëbërësit në Shqipëri, me qëllim nxitjen e mekanizmave efektive kundër bullizmit për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe gjithëpërfshirës nxënieje në shkolla. Aktiviteti mblodhi së bashku 50 pjesëmarrës, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Institutit të Zhvillimit të Arsimit, të Inspektoriatit Shtetëror të Arsimit, përfaqësues nga 21 shkollat pilote, përfaqësues nga 12 Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe ekspertë lokal.

Specialistja për arsimin parauniversitar pranë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Tatjana Vuçani, pohoi rëndësinë e këtij dokumenti strategjik dhe ritheksoi angazhimin për përfshirjen e këtyre rekomandimeve në masat prioritare të ministrisë dhe në Strategjinë e re kombëtare për arsimin parauniversitar.

Kreu në detyrë i Zyrës së Këshillit të Evropës, z. Olsi Dekovi, vuri theksin tek zbatimi i suksesshëm i projektit që ka përdorur qasjen “nga poshtë – lart” dhe rëndësinë e qëndrueshmërisë së këtyre rezultateve në të ardhmen.

Oficerja e projektit në fjalë, znj. Delina Cici, shpjegoi të gjithë procesin e hartimit të politikave në 21 shkollat pilote, duke nisur që nga politikat e hartuara në nivel shkolle tek hartimi i udhërrëfyesit kombëtar dhe planeve në vijim.

Në përfundim të këtij aktivitetit, projekti shpërndau certifikatat e përfundimit të trajnimit për 210 mësuesit e trajnuar mbi modulin “Parandalimi dhe lufta ndaj bullizmit, dhunës dhe ekstremizmit në shkolla” i akredituar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë me nr. 20/2017.

Projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës “Lufta kundër bullizmit dhe ekstremizmit në sistemin arsimor në Shqipëri” është pjesë e paketës programatike të quajtur "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë".

 

 

 

Tiranë 13 dhjetor 2018
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page