Përfaqësues të lartë nga institucionet përfituese dhe partnere të projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri, morën pjesë në takimin e parë të Komitetit Drejtues të fazës së re të projektit (2023-2026).
Prioritetet kryesore të Projektit për fazën e re lidhen me harmonizimin e kuadrit ligjor dhe operacional në luftën kundër korrupsionit, rishikimin e akteve ligjore dhe ofrimin e propozimeve për rritjen e përputhshmërisë së tyre me rekomandimet përkatëse të Task-Forcës të Veprimit Financiar (FATF); përmirësimin e efektivitetit të agjencive ligjzbatuese dhe sektorit drejtësisë penale në luftën kundër krimit ekonomik; forcimin e efektivitetit të mbikëqyrjes së financave politike; përmirësimin e legjislacionit dhe kapaciteteve institucionale të autoriteteve përkatëse për hetimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale.
Duke vlerësuar partneritetin e suksesshëm dhe rezultatet konkrete të dy fazave të fundit, institucionet partnere rikonfirmuan përpjekjet dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Projektin në përmbushjen e rekomandimeve të GRECO dhe MONEYVAL. Takimi vendosi theksin në ndjekjen e një qasje të përshtatur, fleksibël dhe të bazuar në rezultate, për t'iu përgjigjur ritmit dinamik të reformave dhe nevojave në zhvillim.
Aktiviteti u organizua nga projekti Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri, në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Europian/Këshillit të Europës Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë (Instrumenti Horizontal III), bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe zbatuar nga Këshilli i Evropës.