Agjencia Shtetërore e Kadastrës (Kadastra) shqiptare ka miratuar Strategjinë e saj të parë të Komunikimit, duke shënuar një hap të madh drejt transparencës, efikasitetit dhe angazhimit më të madh me qytetarët. E hartuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës, Strategjia do të rrisë më tej komunikimin e Kadastrës me publikun, do të përmirësojë transparencën institucionale dhe komunikimin me titullarët e së drejtës, të cilat do të sigurojnë marrjen e një informacioni më të qartë dhe më të aksesueshëm për çështjet të lidhura me pronën në Shqipëri.
Aktiviteti promovues mblodhi në Tiranë përfaqësues të lartë të institucioneve qendrore dhe vendore, si dhe ekspertë nga sektorët publik dhe privat. Nga këndvështrimi i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, Drejtore e Përgjithshme, theksoi se Strategjia përfaqëson një hap të pare, por vendimtar drejt forcimit të marrëdhënieve të institucionit me qytetarët. Ajo theksoi se garantimi i parimit të sigurisë juridike në të drejtat pronësore, është në thelb të misionit të Kadastrës dhe komunikimi transparent dhe efektiv është thelbësor për arritjen e këtij qëllimi.
Në fjalën e saj, Giulia Re, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, theksoi rolin vendimtar të Këshillit të Evropës në forcimin e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse për konsolidimin e të drejtave të pronësisë në Shqipëri, duke theksuar mbështetjen e tij si të dobishëm për të ndihmuar Kadastrën në adoptimin e praktikave moderne të komunikimit dhe për të siguruar që informacioni i lidhur me pronën të jepet në mënyrë të qartë, efektive dhe proaktive.
Cinzia Tarletti, Shefe e Seksionit për Shtetin e së Drejtës dhe Mirëqeverisjen në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Bashkimit Evropian për të mbështetur mirëqeverisjen e mirë, shtetin e së drejtës dhe transparencën në Shqipëri. Ajo theksoi se të drejtat efektive të pronës janë thelbësore për një demokraci dhe ekonomi tregu që funksionon mirë dhe se rritja e komunikimit publik është çelësi për përmirësimin e besimit të qytetarëve tek institucionet. Tarletti nënvizoi më tej se mbështetja e BE-së për Kadastrën është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të forcuar të drejtat e pronësisë dhe shtetin e së drejtës, duke e afruar Shqipërinë me standardet evropiane në administratën publike dhe qeverisjen.
Takimi shërbeu gjithashtu si një platformë për diskutime konstruktive dhe të hapura, ku palët kryesore të interesit shkëmbyen mendime mbi hapat e ardhshëm për zbatimin e strategjisë. Pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm të Kadastrës për shërbimet e orientuara drejt qytetarëve dhe theksuan nevojën për transparencë më të madhe në ofrimin e informacionit.
Nëpërmjet projektit Mbrojtja e të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ në Shqipëri, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës po punojnë ngushtë me Kadastrën për të modernizuar operacionet e saj, për të forcuar praktikat e komunikimit institucional dhe për t'i ofruar asaj mjetet e nevojshme për t'u angazhuar në mënyrë më efektive me publikun dhe aktorët kryesorë në aksesin e të drejtave të tyre pronësore.
Miratimi i kësaj Strategjie Komunikimi për herë të parë, është më shumë se thjesht një moment i rëndësishëm procedural, pasi ajo përfaqëson një angazhim për progres, duke siguruar që e drejta e pronës të kuptohet më mirë, të mbrohet në mënyrë më efektive dhe të jetë më e aksesueshme për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Strategjia e Komunikimit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës është e aksesueshme KËTU.
Ky aktivitet organizohet në kuadër të projektit Mbrojtja e të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ në Shqipëri, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe zbatuar nga Këshilli i Evropës në kuadër të programit Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë III.