Back Të rinjtë dialogojnë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë

Të rinjtë dialogojnë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë

Me rastin e 75-vjetorit të Këshillit të Evropës 20 të rinj e të reja, përfaqësues të qeverive të nxënësve nga gjimnazet Eqrem Çabej, Sami Frashëri, Qemal Stafa, Aleks Buda dhe Protagonistët, u mikpritën në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme nga ministri Igli Hasani, në një takim të veçantë ku ishte e pranishme edhe Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Giulia Re.

Nëpërmjet një bashkëbisedimi të hapur, të rinjtë patën mundësi që të njihen më nga afër me rolin dhe angazhimin e Shqipërisë si një anëtar aktiv i Këshillit të Evropës.

Diskutimet prekën një sërë temash me interes për të rinjtë si barazia, diversiteti, përfshirja, qytetaria digjitale, inteligjenca artificiale, arsimi, migracioni dhe integrimi Evropian. Të rinjtë jo vetëm parashtuan pyetje, por ndanë mendimet e tyre mbi këto tema të rëndësishme duke e ndërthurur edhe me prezantime nga nisma të ndërmarra prej tyre në kuadër të iniciativave të Këshillit të Evropës në Shqipëri.

Aktiviteti interaktiv dhe frymëzues vijoi me një prezantim të ideve dhe aktiviteteve të ndryshme nga të rinjtë përmes një ekspozite të ideuar nga vetë nxënësit. Nëpërmjet punimeve artistike ata u përfshinë në një bisedë të hapur në lidhje me Këshillin e Evropës përmes këndvështrimit të tyre.

Bashkëbisedimi ishte pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të rritur cilësinë e arsimit në Shqipëri dhe për të promovuar një kulturë demokratike përmes edukimit.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit të Këshillit të Evropës “Forcimi i Edukimit për Qytetari Demokratike në Shqipëri” financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).

75 vjet në mbrojtje të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit në Evropë - 75 shkolla për të pilotuar arsim më të mirë për një të ardhme demokratike të qëndrueshme në Shqipëri.

 

Tiranë, Shqipëri 21 Maj 2024
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page