200 mësues dhe anëtarë të ekipeve zhvillimore të shkollave në nëntë shkolla 9-vjeçare dhe të mesme në Tiranë, Durrës dhe Elbasan kanë marrë pjesë në një program trajnimi me fokus “Parandalimin dhe trajtimin e bullizmit, dhunës dhe ekstremizmit në shkolla” gjatë muajve nëntor dhe dhjetor.
Organizuar nga projekti Forcimi i Edukimit për Qytetari Demokratike në Shqipëri, trajnimet kishin si qëllim të rrisin ndërgjegjësimin mbi këto fenomene si në nivel shkolle ashtu edhe në nivel komuniteti, rritjen e njohurive dhe kuptimin e formave të ndryshme të bullizmit, si dhe trajtimin e pasojave që ato kanë në edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve. Gjithashtu, trajnimet synonin të ndihmonin pjesëmarrësit të zhvillojnë iniciativa konkrete për të krijuar një mjedis mësimor mbështetës dhe të sigurt ku ngacmimi dhe format e tjera të dhunës nuk tolerohen.
Pjesëmarrësit në trajnim u njohën me format dhe shkaqet e bullizmit, pasojat që sjellin në jetën shkollore dhe në komunitet, përvetësimi i metodave efektive parandaluese, por edhe mënyrat e sigurimit të një mjedisi të sigurt dhe mbrojtja e të drejtave të çdo nxënësi. Gjatë trajnimit u ndanë edhe informacione mbi kuadrin ligjor dhe institucional të politikave kundër bullizmit në Shqipëri, si dhe praktikat më të mira ndërkombëtare për hartimin e nismave për adresimin e problematikave në shkolla.
Në përfundim të trajnimeve, secila shkollë do të organizojë aktivitete ndërgjegjësuese me karakter edukativ, duke përfshirë të rinjtë në komunitetin shkollor për të përçuar mesazhin se bullizmi nuk tolerohet.
Projekti i Këshillit të Evropës Forcimi i Edukimit për Qytetari Demokratike në Shqipëri, financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkobëtar, synon të nxisë respektin, barazinë dhe vlerat demokratike nëpërmjet programeve të trajnimit në shkolla, si kontribut për një shoqëri ku mirëqenia dhe siguria e fëmijëve janë prioritare.