Back Takimi i 3-të i Projektit për Bullizmin dhe Ekstremizmin në Sistemin Arsimor në Shqipëri

Takimi i 3-të i Projektit për Bullizmin dhe Ekstremizmin në Sistemin Arsimor në Shqipëri

Më 23 nëntor në Tiranë u zhvillua takimi i tretë i Bordit Drejtues të projektit të përbashkët të Instrumentit të Bashkëpunimit Horizontal të BE/KiE “Lufta kundër bullizmit dhe ekstremizmit në sistemin arsimor në Shqipëri”, e organizuar nga Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë, për të diskutuar mbi situatën aktuale të aktiviteteve të projektit dhe vazhdimësinë e tij. Takimi mblodhi së bashku Zëvendësministren për arsimin para-universitar, Znj. Besa Shahini, përfaqësues nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Institutit të Zhvillimit të Arsimit, përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë kibernetike.

Në këtë takim u raportuan arritjet kryesore të projektit, si realizimi i studimit në nivel kombëtar mbi bullizmin dhe ekstremizmin në sistemin arsimor në Shqipëri, trajnimet e ofruara, konferencat kombëtare dhe ndërkombëtare dhe organizimi i Ditëve të hapura kundër bullizmit. Një nga arritjet kryesore të këtij projekti është vizibiliteti i tij i madh dhe pasqyrimi në media, veçanërisht i gjetjeve të Sondazhit Kombëtar dhe Ditëve të Hapura kundër bullizmit duke konfirmuar kështu interesin e madh dhe rëndësinë e kësaj ndërhyrje në sistemin arsimor në Shqipëri.

Përfaqësuesit nga Ministria e Arsimit pohuan ndryshimin që ky projekt po sjell në shkolla nëpërmjet trajnimit të mësuesve dhe ndërgjegjësimit të të gjithë aktorëve të përfshirë në arsim lidhur me këto çështje polemizuese. Nisur nga impakti që ky projekt ka arritur në një kohë kaq të shkurtër, Ministria e Arsmit njoftoi se disa nga shkollat pjesë të këtij projekti do të përfshihen në nismën e ministrisë “Shkollat si qendër komunitare”.

 

Tiranë 24 Nëntor 2017
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page