Në përgjigje të rritjes së numrit të trajnerëve nga 2 në 12, Këshilli i Evropës ka vijuar asistencën për rritjen e kapaciteteve të Qendrës së Trajnimeve për stafin e burgjeve duke ofruar një Trajnim të Trajnerëve në Vlorë më 10-12 Maj për 31 përfaqësues të stafit penitenciar me profile të ndryshme.
Të udhëhequr nga tre konsulentë ndërkombëtarë dhe nga Drejtuesi i Qendrës, pjesëmarrësit në Trajnimin e Trajnerëve përmirësuan njohuritë e tyre mbi dy tema të cilat janë të rëndësishme në axhendën e shërbimeve kombëtare korrektuese: menaxhimi dhe trajtimi i të dënuarve për krime seksuale dhe të dënuarve me histori të dhunës në familje.
Trajnimi i Trajnerëve kombinoi aspektet metodologjike, njohuritë mbi përmbajtjen dhe ushtrimet për Vlerësimin e Riskut dhe Nevojave duke pasur si synim informimin e duhur të gjykatave dhe qasjen teraupetike ndaj këtyre të dënuarve. Në përfundim të trajnimit, nën drejtimin e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Administratës së Burgjeve pjesëmarrësit hartuan një plan veprimi me dhjetë pika për identifikimin, trajtimin dhe menaxhimin e kategorisë së lartpërmendur të të dënuarve.
Sesioni u zhvillua në kuadrin e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Türkiye – Faza III, dhe në veçanti të projektit “Forcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut për personat e dënuar në Shqipëri.