Back Fituesit e konkursit të videove Fake≠Fact marrin pjesë në një vizitë studimore në Strazburg

Fituesit e konkursit të videove Fake≠Fact marrin pjesë në një vizitë studimore në Strazburg

Një grup nxënësish të shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë, të shoqëruar nga drejtues, mësues dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit patën rastin të vizitojnë në datat 27-29 qershor, zyrat e Këshillit të Evropës në Strazburg, për t’u njohur nga afër me Këshillin e Evropës.

Entuziatë dhe me kërshëri për të zgjeruar njohuritë mbi demokracinë dhe të drejtat e njeriut, të rinjtë dhe të rejat patën takime me Kreun e Departamentit të Arsimit në Këshillin e Evropës, z. Villano Qiriazi; Ambasadorin e Misionit të Përhershëm të Shqipërisë në Strasburg z. Dastid Koreshi; Shefen e Divizionit të Bashkëpunimit Ndërparlamentar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, znj. Liri Kopaci Di Michele; me përfaqësues të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, etj.

Pas prezantimeve, nxënësit u angazhuan në diskutime duke bërë pyetje konkrete për të mësuar më shumë për Këshillin e Evropës, punën dhe rrugëtimin e tij, por gjithashtu morën njohuri mbi iniciativat më të fundit të Këshillit të Evropës në lidhje më Edukimin për Qytetarinë Dixhitale. 

Nxënësit e shkollës “Sami Frashëri” ishin fitues të konkursit të videove Fake≠Fact organizuar në muajin shkurt nga projekti i Këshillit të Evropës, “Forcimi i Edukimit për Qytetari Demokratike në Shqipëri” në kuadër të nismës së Institutit Suedez Fake≠Fact.

Projekti i Këshillit të Evropës “Forcimi i Edukimit për Qytetari Demokratike në Shqipëri” financohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, dhe vijon zbatimin që prej dhjetorit 2019 me synim pajisjen e nxënësve me njohuri, aftësi dhe kompetencat e nevojshme për të promovuar kulturën demokratike në shkollë dhe komunitet.

 

 

Strazburg 04 Korrik 2023
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page