Back Komisioni i Venecias miraton opinionin mbi Ligjin për Shërbimet e Mediave Audiovizive dhe atë për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese

Komisioni i Venecias miraton opinionin mbi Ligjin për Shërbimet e Mediave Audiovizive dhe atë për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese

Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit ("Komisioni i Venecias") miratoi sot dy opinione në lidhje me Shqipërinë - për Ligjin mbi Shërbimet e Mediave Audiovizive dhe për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Opinioni i parë u përgatit me kërkesën e Komitetit Monitorues(*) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe kishte të bënte me ndryshimet në Ligjin për Shërbimet e Mediave Audiovizive. Komisioni i Venecias theksoi se autoritetet shqiptare duhet të merren me problemin konkret të sjelljes së papërgjegjshme të disa mediave në internet që përhapin thashetheme të dëmshme dhe sulme me shpifje ndaj figurave publike. Përpos kësaj, projektndryshimet, siç janë formuluar tani, ngrenë çështje të rëndësishme dhe nuk janë gati për miratim. Propozimi i diskutuar aktualisht konsiston në shtrirjen e juridiksionit të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) dhe Këshillit të Ankesave (KA) tek mediat në internet.

Zgjerimi i regjimit administrativ, që aktualisht shtrihet në fushën e mediave transmetuese, për të gjithë përdoruesit e internetit është i diskutueshëm sepse rrezikon të ekspozojë blogerët individualë dhe përdoruesit e rrjeteve sociale ndaj kufizimeve të padrejta të lirisë së tyre të shprehjes. AMA do të merrte fuqi të rëndësishme administrative për sa i përket pothuajse të gjithë përdoruesve shqiptarë të internetit, në veçanti atë të vendosjes së gjobave të rënda, menjëherë të zbatueshme, për përmbajtje të pahijshme në media. Para se t'i jepen kompetenca kaq të gjera AMA-s dhe KA-së, është e nevojshme të rishikohet përbërja e këtyre organeve, në mënyrë që të sigurohet autonomia e tyre nga kontrolli i qeverisë dhe i korporatave dhe të forcohet profesionalizmi i tyre. Media në internet duhet të përfitojë nga procesi i rregullt ligjor dhe çdo vendim administrativ duhet t'i nënshtrohet shqyrtimit të plotë gjyqësor. Sanksionet duhet të jenë proporcionale.

Komisioni pranoi përpjekjet konkrete të autoriteteve shqiptare për të përmirësuar projektligjin dhe gadishmërinë e tyre për dialog. Në opinionin e tij, Komisioni i Venecias inkurajon autoritetet të mbështesin krijimin e një organi vetërregullues që funksionon në mënyrë të pavarur dhe të aftë për të garantuar një sistem efektiv dhe të respektuar të përgjegjshmërisë së mediave në fushën e mediave online. Është gjithashtu e nevojshme të sigurohet që mjetet juridike dhe gjyqësore ekzistuese janë efektive në adresimin e shpifjes dhe gjuhës së urrejtjes në publikimet në internet.

opinion e dytë të përqëndruar në emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, të kërkuar si nga parlamenti shqiptar ashtu edhe nga Presidenti, Komisioni i Venecias vëren se modeli origjinal kushtetues për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese ishte interpretuar saktë nga Kuvendi por nuk mund të funksiononte siç pritej, si rezultat i numrit të jashtëzakonshëm të gjyqtarëve që do të zëvendësoheshin për shkak të procesit të verifikimit të vazhdueshëm dhe mungesës së bashkëpunimit institucional midis Presidentit dhe parlamentit, ç'ka bëri që Gjykata Kushtetuese të ishte jofunksionale.

Komisioni del në përfundimin se në një situatë paqartësie dhe në mungesë të një Gjykate Kushtetuese funksionale, emërimi në mënyrë automatike i një kandidati në këtë Gjykatë nuk duhej të konsiderohej i vlefshëm, pasi Presidenti kishte ngritur pyetje në lidhje me interpretimin e procedura përkatëse. Do të kishte qenë thelbësore që Presidenti dhe parlamenti të binin dakord për një interpretim të tillë përpara se të vazhdohej me emërimet; në vend të kësaj, ata të dy vazhduan në mënyrë të njëanshme.

Në planin afatshkurtër, sipas mendimit të Komisionit, për sa kohë që mungesa e kandidatëve vazhdon dhe listat përbëhen kryesisht nga të njëjtët kandidatë, me disa emërime që duhet të bëhen në të njëjtën periudhë, Presidenti dhe Kuvendi (dhe Gjykata e Lartë, nëse fillon të funksionojë së shpejti) duhet të pajtohen për procedurën që duhet të ndiqet, në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) duhet të pranojë një interpretim të tillë. Në pritje të një konsensusi për interpretimin e procedurës së emërimit, KED-ja duhet t'i dërgojë listën (at) Kuvendit menjëherë pasi Presidenti të ketë kryer emërimin e tij, ose pas 30 ditësh nëse ai nuk e bën një gjë të tillë pa arsyetim.

Në planin afatgjatë, ekspertët e Këshillit të Evropës rekomandojnë thjeshtimin e modelit kushtetues të miratuar në vitin 2016, veçanërisht duke hequr rregullin e rradhës(**), duke sugjeruar që kuotat e tre organeve emëruese mund të mbahen duke i caktuar automatikisht të drejtën e rinovimit të një mandati të njëjtit organ që kishte caktuar gjyqtarin në largim.

Së dyti, vitet e përcaktuara për fillimin dhe mbarimin e mandateve nëntëvjeçare duhet të hiqen. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të gëzojnë gjithnjë një mandat të plotë nëntë-vjeçar, edhe nëse zgjidhen me ndonjë vonesë ose kur kanë marrë një mandat të ndërprerë më herët. Sapo të hiqet rregulli i rradhës, ky ndryshim jo vetëm që e bën pozicionin e gjykatësit kushtetues më tërheqës për kandidatët e kualifikuar, por edhe më kuptimplotë.

Komisioni i Venecias nënvizon nevojën absolute për dialog dhe bashkëpunim midis institucioneve shtetërore. Mandatet dhe pushtetet e tyre duhet të respektohen në mënyrë që ata të përmbushin objektivat e tyre institucionale, gjithmonë duke kërkuar përfitim më të mirë për qytetarët e Shqipërisë.

Së fundmi, Komisioni rekomandon që të bëhen përpjekje shtesë që procesi i verifikimit të përfundojë sa më shpejtë.


 Teksti i plotë i opinionit (anglisht)

 

 

(*) Komiteti për Nderimin e Detyrimeve dhe Zotimeve nga Shtetet Anëtare të Këshillit të Evropës.

(**) Rendi përherë i zbatueshëm sipas të cilit vendet e lira do të ndaheshin për tre organet emëruese: së pari për Presidentin, së dyti për Kuvendin, dhe së treti për Gjykatën e Lartë.

19 qershor 2020
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page