Back Përmirësimi i së drejtës për punësim, arsim dhe shëndetësi për komunitetin LGBTI në Shqipëri

Përmirësimi i së drejtës për punësim, arsim dhe shëndetësi për komunitetin LGBTI në Shqipëri

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë (IDAHOT) në Shqipëri, u organizua një diskutim i rëndësishëm publik mbi aksesin në shërbimet për personat e komunitetit LGBTI nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me mbështetjen e projektit të Anti-Diskriminimit të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.

Ndërsa Shqipëria ka bërë progres të dukshëm drejt përmirësimit të të drejtave dhe aksesit në shërbime për anëtarët e komunitetit LGBTI, sfidat kryesore vazhdojnë të mbeten sigurimi i aksesit të barabartë në shërbimet kyçe si punësimi, arsimi dhe kujdesi shëndetësor.

Aktiviteti u hap nga zëvendësministrja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Denada Seferi , e cili theksoi se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si institucion lider, do të vazhdojë të mbështesë institucionet përgjegjëse, si dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet e pavarura, si dhe me organizatat e shoqërisë civile, për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të siguruar ofrimin e shërbimeve cilësore  dhe respektimin e e të drejtave të njeriut për personat LGBTI+ në Shqipëri.

Kreu i zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Giulia Re, u shpreh në fjalën e saj përshëndetëse se akiviteti i sotëm dëshmon se ne jemi pjesë e një shoqërie të përkushtuar ndaj parimeve të barazisë dhe diversitetit dhe duam të krijojmë një shoqëri më gjithëpërfshirëse për të gjithë. Kjo fillon duke u siguruar që çdo individ, pavarësisht nga orientimi i tij seksual apo identiteti gjinor, të ketë akses të barabartë në kujdesin shëndetësor, arsim, punësim dhe shërbime të tjera thelbësore.

I Ngarkuari me Punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Andre Rizzo, deklaroi se barazia dhe mosdiskriminimi janë pjesë e vlerave të BE-së. Sigurimi i një aksesi të gjërë dhe të barabartë në shërbimet publike si shëndetësia, arsimi, drejtësia, por edhe strehimi dhe punësimi për të gjithë, për personat LGBTIQ+, por edhe për grupet e tjera vulnerabël është e vetmja mënyrë për t’i bërë realitet të drejtat e njeriut.

Përfaqësues të ministrive të linjës, organizatave të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare vazhduan me diskutime konkrete se si të adresohen sfidat e rëndësishme me të cilat po përballet komuniteti LGBTI në lidhje me aksesin në arsim, shëndetësi dhe punësim. Pjesëmarrësit vunë në dukje se pavarësisht nga fakti se shkollat po miratojnë gjithnjë e më shumë politika kundër bullizmit që trajtojnë bullizmin homofobik dhe transfobik, megjithatë studentët që i përkasin komunitetit LGBTI shpesh përjetojnë ngacmim dhe bullizim.

Një tjetër shkëmbim i rëndësishëm ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve publike dhe aktorëve relevantë të kësaj fushe, theksoi se shumë individë të komunitetit LGBTI në Shqipëri përballen me diskriminim në vendin e punës, duke filluar nga procesi i punësimit e deri te mjedisi i përditshëm i punës. Për më tepër, individët e komunitetit LGBTI shpesh përballen me stigmë dhe diskriminim në mjediset e kujdesit shëndetësor, sidomos personat transgjinorë.

Diskutimi aktiv ndërmjet përfaqësuesve të ministrive të linjës dhe organizatave të shoqërisë civile përcaktoi hapat e ardhshëm, duke synuar rritjen e bashkëpunimit të të gjithë aktorëve në përpjekjet për të çuar përpara mbrojtjen e të drejtave të njeriut për komunitetin LGBTI në Shqipëri. Duke punuar së bashku, mund të sigurohet që të gjithë individët, pavarësisht nga orientimi i tyre seksual apo identiteti gjinor, të kenë akses të barabartë në shërbimet që u nevojiten dhe meritojnë.

--------------------------

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Fuqizimi i Mbrojtjes nga Diskriminimi në Shqipëri” pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontale për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë ”.


 

Tiranë 21 Maj 2024
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page

Projekti synon të çojë përpara efektet e reformave në fushën e antidiskriminimit dhe luftimit të gjuhës së urrejtjes. Ai mbështet punën drejt përafrimit me standardet evropiane për të mbrojtur më mirë të drejtat e grupeve vulnerabël dhe pakicave etnike, duke fuqizuar më tej diversitetin dhe barazinë në Shqipëri.

Projekti zbatohet në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, kohëzgjatja e të cilit është dhjetor 2023 -janar 2026.

Cili është qëllimi i projektit?

Qëllimi kryesor i projektit “Fuqizimi i mbrojtjes nga diskriminimi në Shqipëri” është përmirësimi i mbrojtjes së minoriteteve dhe grupeve të tjera vulnerabël në Shqipëri nga diskriminimi dhe gjuha e urrejtjes/ krimet e urrejtjes, në përputhje me standardet evropiane.

Kush përfiton nga projekti?

Përfitues të këtij projekti janë institucionet publike që punojnë në fushën e antidiskriminimit, aktorët lokalë dhe më e rëndësishmja, qytetarët e Shqipërisë. Duke ofruar asistencë teknike dhe duke rritur ndërgjegjësimin e institucioneve publike dhe aktorëve relevantë në terren, projekti synon të çojë përpara efektet e reformave në fushën e antidiskriminimit dhe luftimit të gjuhës së urrejtjes si dhe fuqizimin e mbrojtjes së përgjithshme të të drejtave të njeriut për qytetarët e Shqipërisë, dhe në veçanti për komunitetet vulnerabël.

Si do të funksionojë projekti?

Projekti do të ndihmojë në përmirësimin e historikut të luftës kundër diskriminimit, racizmit, gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes në Shqipëri.

Mbështetja ofrohet si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, si rrjedhojë projekti ofron nisma për ngritjen e kapaciteteve, përshtatjen e metodologjive të Këshillit të Evropës me situatën në terren dhe shkëmbimin e praktikave më të mira, për të nxitur bashkëpunimin ndërmjet partnerëve, dhe dialogun ndërmjet palëve të interesuara;

Rritja e ndërgjegjësimit për diversitetin dhe antidiskriminimin ndaj të tjerëve përbën një komponent të rëndësishëm të projektit.

Çfarë presim të arrijmë?

Në mënyrë të veçantë, projekti do të sigurojë që:

  • Politikëbërësit të trajtojnë më mirë diskriminimin dhe gjuhën e urrejtjes;
  • Institucionet publike dhe organizatat e shoqërisë civile të përmirësojnë reagimin ndaj luftës kundër diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes;
  • Publiku i gjerë në Shqipëri të ndërgjegjësohet më shumë dhe të kontribuojë në luftën kundër intolerancës, krimeve të urrejtjes dhe racizmit për një shoqëri më kohezive.

Sa është buxheti i projektit?

Buxheti total i projektit është 850,000 Euro. Shqipëria po përfiton edhe nga projekti rajonal për Promovimin e barazisë dhe luftën kundër racizmit dhe intolerancës në Ballkanin Perëndimor, me vlerë 700,000 Euro.

Buxheti i alokuar për programin e përgjithshëm të Instrumentit Horizontal është rreth 41 milion Euro (85% financuar nga Bashkimi Evropian, 15% nga Këshilli i Evropës)

Rreth Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë

Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë është një nismë e përbashkët e Bashkimit Evropian dhe e Këshillit të Evropës që u mundëson Përfituesve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë të përmbushin axhendat e tyre të reformave në fushat e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë dhe të përputhet me standardet evropiane, që është edhe prioritet për procesin e zgjerimit të BE-së.

 

 

 

 

Projekti në një vështrim

Kohëzgjatja: 48 muaj (janar 2023 deri në dhjetor 2026)

Përfituesit:

  • Qytetarët e Shqipërisë
  • Autoritetet publike, veçanërisht organet që punojnë në fushën e barazisë
  • Profesionistë të arsimit, studentët
  • Media
  • Organizatat e shoqërisë civile të angazhuara në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut

Financimi: Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës

Buxheti: 850 000 Euro

Blloko urrejtjen
kontakt

Iva Çoku 
Oficere e Lartë Projekti

+355 44 540 208
E-mail


Elsa Delishaj
Asistente Projekti

+355 44 540 217
E-mail