Sfondi historik

Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut e vitit 1950

Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore u hartua në  Këshillin e Evropës. Ajo u hap për nënshkrim në Romë më 4 nëntor 1950 dhe hyri në fuqi në shtator 1953. Duke marrë si fillesë Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut të vitit 1948, hartuesit e Konventës kërkonin të realizonin qëllimet e Këshillit të Evropës nëpërmjet ruajtjes dhe mbrojtjes së mëtejshme të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Konventa përfaqëson hapat e parë drejt zbatimit të përbashkët të disa të drejtave të përcaktuara në Deklaratën Universale.

Përveç parashtrimit të një katalogu të të drejtave civile dhe politike si dhe lirive*, Konventa krijon një mekanizëm për vënien në zbatim të detyrimeve të ndërmarra nga Shtetet Kontraktuese. Kjo përgjegjësi iu besua tre institucioneve: Komisionit Evropian të të Drejtave të Njeriut (i krijuar në 1954), Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (të krijuar në 1959) dhe Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i përbërë nga Ministrat e Punëve të Jashtme të Shteteve anëtare apo përfaqësuesit e tyre.

Në bazë të Konventës, në versionin e saj origjinal, ankesat mund të ngriheshin kundër Shteteve Kontraktuese, ose nga Shtete të tjera Kontraktuese, ose nga kërkues individualë (individë, grupe individësh, organizata jo-qeveritare). Njohja e së drejtës për kërkesa individuale gjithsesi nuk ishte e detyrueshme, dhe kështu mund të ushtrohej vetëm kundër atyre Shteteve që e kishin pranuar atë (Protokolli Nr.11 i Konventës në vijim e bën pranimin e saj të detyrueshëm, shih paragrafin 6 më poshtë).

Ankesat fillimisht i nënshtroheshin një shqyrtimi paraprak nga Komisioni i cili përcaktonte pranueshmërinë e tyre. Kur një ankesë deklarohej e pranueshme, Komisioni vihej në dispozion të palëve për të negociuar një zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjes. Nëse nuk arrihej një gjë e tillë, ai hartonte një raport ku përcaktoheshin faktet dhe ku shprehej një mendim për themelin e çështjes. Raporti i transmetohej Komitetit të Ministrave.

Kur Pala kundërshtare e kishte pranuar juridiksionin e detyrueshëm të Gjykatës, Komisioni dhe/ose çdo Shtet Kontraktues i interesuar kishin një afat prej tre muajsh pas transmetimit të raportit Komitetit të Ministrave, brenda të cilit të kishin mundësi të paraqesnin çështjen përpara Gjykatës për të marrë një vendim përfundimtar e të detyrueshëm. Individët nuk kishin të drejtë të paraqesnin çështjet e tyre përpara Gjykatës.
Nëse një çështje nuk i referohej Gjykatë, Komiteti i Ministrave vendoste nëse kishte pasur shkelje të Konventës, dhe, sipas rastit, i jepte viktimës ‘shpërmblim të drejtë’. Komiteti i Ministrave gjithashtu ishte përgjegjës për mbiqkyrjen e ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës.

 

Zhvillimet e mëtejshme

Që nga hyrja në fuqi e Konventës janë adoptuar trembëdhjetë Protokolle. Protokollet Nr.1, 4, 6, 7, 12** dhe 13 i kanë shtuar të drejta e liri të tjera atyre që garantohen nga Konventa, ndërsa Protokolli Nr.2 i ka dhënë Gjykatës kompetencën për të dhënë mendime këshillimore. Protokolli Nr.9 ka mundësuar që kërkuesit individualë të paraqesin çështjet e tyre përpara Gjykatës duke iu nënshtruar ratifikimit nga Shteti i paditur dhe duke u pranuar nga një panel kontrolli. Protokolli Nr.11 ka ristrukturuar mekanizimin e zbatimit të vendimeve (shih më poshtë). Protokollet e tjera kanë trajtuar organizimin dhe procedurën përpara institucioneve të Konventës.

Që nga viti 1980 e në vijim, rritja e qëndrueshme e numrit të çështjeve të paraqitura përpara institucioneve të Konventës e bëri gjithnjë e më shumë të vështirë respektimin e kohëzgjatjes së procedurave brenda kufijve të caktuar. Problemi u rëndua me aderimin e Shteteve të reja Kontraktuese nga viti 1990. Numri i kërkesave të regjistruara për vit brenda Komisionit ishte rritur nga 404 në vitin 1981, në 4,750 në vitin 1997. Gjatë këtij të fundit numri i dosjeve të paregjistruara apo të përkohshme që hapeshin çdo vit në Komision kishin arritur në mbi 12,000. Statistikat e Gjykatës pasqyronin diçka të ngjashme, me numrin e çështjeve që parashtroheshin për vit që ishte rritur nga 7 në vitin 1981, në 119 në vitin 1997.

Kjo mbingarkesë me çështje i dha shkas një debati të gjatë mbi nevojën e një reforme të mekanizmit mbikqyrës të Konventës, që çoi në miratimin e Protokollit Nr.11 të Konventës. Qëllimi ishte që të thjeshtohej struktura për të shkurtuar kohëzgjatjen e procedurave, ndërsa do të forcohej nga ana tjetër karakteri gjyqësor i sistemit duke e bërë atë tërësisht të detyrueshëm e duke shfuqizuar rolin si gjyqtar të Komitetit të Ministrave.
Protokolli Nr. 11, që hyri në fuqi më 1 nëntor 1998, zëvendësoi Gjykatën ekzistuese që punonte me orar të pjesshëm si dhe Komisionin me një Gjykatë të vetme që punonte me orar të plotë. Për një periudhë kalimitare prej një viti (deri në 31 tetot 1999) Komisioni vazhdoi të trajtonte çështjet që më parë i kishte deklaruar si të pranueshme.

Gjatë tre viteve pas hyrjes në fuqi të Protokollit Nr.11, ngarkesa me çështje u rrit në një shkallë të paparë. Numri i kërkesave të regjistruara u rrit nga 5,979 në vitin  1998, në 13,858 në vitin 2001, një rritje prej rreth 130%. Shqetësimet për kapacitetin e Gjykatës për të trajtuar volumin në rritje të çështjeve çuan në hartimin e kërkesave për burime plotësuese dhe mendime rreth nevojës për reforma të mëtejshme.

Një Konferencë Ministrore për të Drejtat e Njeriut, e mbajtur në Romë më 3 dhe 4 nëntor 2000 me rastin e 50 vjetorit të hapjes së Konventës për nënshkrim e kishte filluar një proces reflektimi mbi reformën e sistemit. Në nëntor 2002, si vijim i Deklaratës Ministrore për ‘Gjykatën e Drejtave të Njeriut për Evropën’, Zëvendës Ministrat nxorën termat e referencës për Komitetin Drejtues të të Drejtave të Njeriut (KDDNJ-CDDH) me synim hartimin e propozimeve konkrete e koherente që do të mbulonin masat që mund të zbatoheshin pa vonesë dhe amendamentet e mundshme të Konventës.

* Shih Shtojcën I të Court Information document (Dokumentit të Informacionit për Gjykatën) për listën e titujve të Neneve substantive.

** Ky Protokoll do të hyjë në fuqi kur të ratifikohet nga dhjetë Shtete Kontraktuese.

film per gjykaten
Registrar

Aplikimet në Gjykatë dërgohen nëpërmjet postës në adresën:

The Registrar
European Court of Human Rights
Council of Europe
F-67075 Strasbourg cedex
France