Back 28 Janari - Dita e Mbrojtjes së të Dhënave Personale

28 Janari - Dita e Mbrojtjes së të Dhënave Personale

Sot, në Ditën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Komisioneri për mbrojtjen e të Dhënave Personale prezantoi nismën “Luaj dhe mëso – Happy Onlife”. Në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Kosova” u zhvillua aktiviteti informues me nxënës e mësues nga disa shkolla të Tiranes.

Komisioneri, z. Besnik Dervishi, vlerësoi rëndësinë e kësaj date për edukimin e brezit të ri me njohuri të plota për garantimin e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave të tyre personale, sidomos gjatë përdorimit të mjedisit digjital.

Aktivitetin e përshëndetën të ftuarit e nderit, znj. Vasilika Hysi, Nënkryetare e Kuvendit; z. Olsi Dekovi, Kreu në detyre i Zyrës së Këshillit të Evropës; z. Claudio Pala, përfaqësuesi i Prezencës së OSBE-së dhe z. Aurelian Juliard, Përfaqësues i Delegacionit të Bashkimit Evropian.

Në fjalën e tij, z. Dekovi theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla edukuese dhe përfshirëse me fëmijët dhe të rinjtë që kanë një impakt të rëndësishëm jo vetëm për ta por edhe familjet e tyre në epoken dixhitale. Më tej, ai shprehu besimin se autoritetet shqiptare do marrin hapat e duhur për nënshkrimin e Konventës 108 të moderuar të Këshillit të Evropës, e cila do të rrisë garancitë dhe mekanizmat mbrojtes së të dhënave në hapësirën e Këshillit të Evropës.

Nxënës nga secila prej shkollave pjesëmarrëse në këtë nismë, bashkë me të ftuarit, zhvilluan një demonstrim të lojës, e cila është përgatitur nga Qendra e Bashkuar Kërkimore e Bashkimit Evropian (Joint Research Centre) për grup-moshën 8-14 vjeç. Loja “Happy Onlife” ka për qëllim ndërgjegjësimin dhe zgjerimin e njohurive për mbrojtje efektive nga fenomene negative si bullizmi, kontaktet e padëshiruara në internet apo vjedhja e identitetit, sidomos në rrjetet sociale. Nga studimet e kohëve të fundit, si në Shqipëri ashtu edhe në botë, rezulton se të rinjtë janë gjithnjë e më shumë përdorues të teknologjive digjitale, rrjedhimisht dhe më të ekspozuar ndaj rreziqeve në internet.

Prej 2006, 28 janari është vendosur nga Këshilli i Evropës si “Dita e Mbrojtjes së të Dhënave Personale”.

 

 

Tiranë 28 janar 2018
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page