Back Mision vlerësimi për “Përmirësimin e komunikimit ndërmjet gjyqërit dhe medias”

Tirana , 

Një mision vlerësimi i dy ekspertëve ndërkombëtarë u zhvillua në Shqipëri më 19-20 janar 2015, në kuadrin e projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Mbështetje për Efikasitetin e Drejtësisë – SEJ”. Qëllimi i këtij misioni ishte të vlerësonte situatën aktuale në Shqipëri për sa i përket gjykatave dhe institucioneve të drejtësisë, praktikat aktuale të bashkëpunimit me median si dhe të identifikonte fushat/çështjet për të cilat nevojitet asistencë.

Në këtë kontekst, sot në Tirane u zhvillua një seminar/workshop që kishte për qëllim të rriste ndërgjegjësimin mbi instrumentet e Këshillit të Evropës, si Rekomandimi (2003)13 i Komitetit të Ministrave; Opinioni nr. 12 dhe nr. 7 i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë; dhe Opinioni nr. 8 i Këshillit Konsultativ të Prokurorëve Evropianë.

Në seminar/workshop dhe në takime të tjera dypalëshe të planifikuara, morën pjesë zyrtarë të lartë të grupeve shqiptare të interesit, si Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme, Shkolla e Magjistraturës, gjykatat, si dhe përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.