Në vijim të lançimit zyrtar të nismës pilot, një grup pune i zgjeruar mbi EDURES, i përbërë nga palët e interesuara si në nivel lokal ashtu edhe në atë kombëtar, u mblodh në Durrës dhe Tiranë në datat 4 dhe 5 korrik, për të kontekstualizuar paketën e instrumenteve të EDURES për kontekstin shqiptar. Këto aktivitete, që mblodhën së bashku politikëbërës arsimorë, përfaqësues të autoriteteve vendore nga Durrësi dhe Tirana, Kryqi i Kuq Shqiptar, dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, të mbështetur nga ekspertë të Këshillit të Evropës dhe nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Gorizia (ISIG), Itali, synonin të ofrojnë një pamje gjithëpërfshirëse të komponentëve të EDURES, duke përfshirë Kornizën Konceptuale dhe Manualin e tij, dhe t'i përshtasë këto mjete për t'iu përgjigjur nevojave specifike të kontekstit arsimor shqiptar.
Dita e parë iu dedikua prezantimit të detajuar të paketës së instrumenteve të EDURES. Pjesëmarrësit u angazhuan në një analizë të detajuar të sfidave dhe pikave të forta brenda ekosistemeve arsimore shqiptare, duke u fokusuar në gjashtë parimet e Qëndrueshmërisë për Arsimin, të përshkruara nga Këshilli i Evropës. Në ditën e dytë, gjatë takimit në shkollën e mesme Sami Frashëri në Tiranë, pjesëmarrësit u ndanë në fokus grupe, ku secili trajtoi një nga dimensionet standarde të EDURES: Mjedisi, Infrastruktura, Shoqëria, Ekonomia dhe Qeverisja. Sesioni përfundoi me një diskutim plenar ku u ndanë vëzhgime të përgjithshme dhe komentet u mblodhën nga Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të fazës pilotuese të Paketës së Instrumenteve të Këshillit të Evropës për Arsimin në kohë emergjencash dhe krize, e zhvilluar për të mbështetur zbatimin e Rezolutës së Ministrave përgjegjës për Arsimin të Këshillit të Evropës. EDURES pilotohet nga Departamenti i Arsimit i Këshillit të Evropës së bashku me shkollat pilot të angazhuara në projektin “Forcimi i Edukimit për Qytetari Demokratike në Shqipëri*, i mbështetur nga ekspertë të Institutit Ndërkombëtar të Sociologjisë (ISIG) si dhe ekspertë shqiptarë dhe palët e interesuara në arsim.
*Projekti i Këshillit të Evropës “Forcimi i Edukimit për Qytetari Demokratike në Shqipëri” financohet nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida).