Back Mbledhja e tretë e Grupit Këshillimor të programit ROMACTED: Matja e progresit dhe ndërhyrjet e ardhshme

Mbledhja e tretë e Grupit Këshillimor të programit ROMACTED: Matja e progresit dhe ndërhyrjet e ardhshme

Përfituesit dhe aktorët kryesorë në promovimin e qeverisjes së mirë dhe fuqizimit Rom në nivel vendor morën pjesë në Mbledhjen e Tretë të Grupit Këshillimor të Programit ROMACTED në Tiranë për të diskutuar mbi përparimin e arritur gjatë zbatimit në Shqipëri. Në këtë takim, përfaqësuesit e qeverisjes qendrore dhe vendore, Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës dhe ekipet zbatuese mundën të diskutonin mbi udhëzuesin paraprak mbi Buxhetimin me Përgjigjshmëri Rome për njësitë e qeverisjes vendore dhe zbatimin e projekteve bashkiake në kuadër të skemës së granteve të vogla.

Jutta Gützkow, Shefe e Zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri, mirëpriti kryetarët e rinj të Programit dhe nënvizoi disa prej arritjeve të vëzhguara gjatë zbatimit në bashkinë Elbasan, një prej shtatë bashkive partnere.

Lenka Vitkova, Shefe e Qeverisjes së Mirë dhe Sundimit të Ligjit në Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, theksoi rëndësinë e zbatimit të standarteve europiane për integrimin rom. Ajo kumtoi se “… 12 parimet e qeverisjes së mirë të Këshillit të Europës mund të udhëheqin zbatimin e masave konkrete të Planeve Vendore për Integrimin Rom 2029-2022 të hartuara përgjatë procesit ROMACTED”.

Marcos Andrade, Menaxheri i Programit ROMACTED, kontekstualizoi zbatimin e Programit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi si pjesë të punës së përgjithshme të Ekipit për Romët dhe Udhëtarët pranë Këshillit të Europës.

Gjatë fjalës së saj, Dajna Sorensen, Zv-Ministre e Financave dhe Ekonomisë, e vuri theksin tek treguesit e punësimit në nivelin vendor dhe përshkallëzimin e praktikave të mira në nivelin kombëtar.

Merita Xhafaj, Drejtoreshë e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, solli në vëmendje rritjen e numrit të bashkive partnere, duke marë parasysh vlerësimin për zbatimin në Shqipëri dhe kërkoi asistencë teknike të shtuar prej Bashkimit Europian për të mundësuar që udhëzuesi mbi Buxhetimin me Përgjigjshmëri Rome të mund të shërbejë si një model për buxhetimin vendor dhe funksionimin e fondit social për bashkitë shqiptare.

Robert Gajda, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, u ndal tek sfidat në lidhje me asimetritë e ofrimit të shërbimeve vendore prej bashkive në dallim midis zonave qendrore dhe periurbane. Majlinda Bufi, Kryetare e Bashkisë Roskovec, Alma Hoxha, Kryetare e Bashkisë Përmet dhe Ervin Saraci, Nënkryetar i Bashkisë Elbasan, ndanë përvojat e tyre mbi zbatimin në bashkitë e tyre.

Programi i përbashkët i Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës ROMACTED synon ngritjen e angazhimit politik dhe angazhim të qëndrueshëm të politikave të autoriteteve vendore për të nxitur qeverisjen demokratike vendore dhe fuqizimin e komuniteteve Rome. Programi zbatohet në shtatë bashkitë partnere të Elbasanit, Përmetit, Fierit, Korçës, Pogradecit, Roskovecit dhe Vlorës në Shqipëri.

 

 

 

Tiranë 14 nëntor 2019
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page