Back Dita Universale e Fëmijëve

Deklaratë nga Marija Pejčinović Burić, Zëvendëskryeministre dhe Ministre për Çështjet e Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Kryesuese e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës
Dita Universale e Fëmijëve

"20 nëntori shënon Ditën Universale të Fëmijëve.

Kjo është një mundësi për të promovuar të drejtat e fëmijëve në mbarë botën, veçanërisht në shtetet tona anëtare, dhe për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me gjendjen e fëmijëve të shumtë në situata të cenueshme dhe në nevojë për mbrojtje.

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe standardet e tjera të rëndësishme të Këshillit të Evropës u sigurojnë 47 shteteve tona anëtare një bazë të shëndoshë ligjore për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e 150 milion fëmijëve në të gjithë Evropën.

Me këtë rast dua të vë theksin në situatën e fëmijëve të emigrantëve dhe refugjatëve në veçanti, të cilët janë sot në mesin e personave më të rrezikuar në Evropë. Këta fëmijë, shpesh të pashoqëruar ose të ndarë nga familjet e tyre në lëvizje, e gjejnë veten në situata veçanërisht të pasigurta. Ata janë shumë të rrezikuar ndaj abuzimit, dhunës dhe shfrytëzimit, duke përfshirë dhunën seksuale, nga kontrabandistët, trafikantët ose kriminelët e tjerë. Shtetet anëtare kanë përgjegjësinë për të mbrojtur këta fëmijë dhe për të siguruar respektimin e të drejtave të tyre.

Dua të theksoj se mbrojtja e fëmijëve të refugjatëve dhe fëmijëve emigrantë ka qenë prioritet i Këshillit të Europës gjatë viteve të fundit. Përmes Strategjisë së Këshillit të Evropës për të Drejtat e Fëmijës (2016-2021) dhe Planit të Veprimit për Mbrojtjen e Fëmijëve të Refugjatëve dhe Migrantëve (2017-2019), Këshilli i Evropës është i angazhuar për të luajtur një rol kyç në ndihmën e shteteve anëtare për të siguruar qasje në të drejta dhe procedura miqësore për fëmijët, duke siguruar mbrojtje efektive si dhe duke rritur integrimin e fëmijëve që do të mbeten në Evropë".

 

 

Strazburg 20 nëntor 2018
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page