Projekti Mbrojtja e lirisë së shprehjes dhe medias në Shqipëri (PRO-FREX) u mundëson institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile në Shqipëri të përparojnë drejt arritjes së agjendave të tyre reformuese në fushat e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, në përputhje me standardet evropiane.

Projekti zbatohet në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë që zgjat nga viti 2023 deri në vitin 2026 dhe synon të kontribuojë në një mjedis të përmirësuar për ushtrimin, veçanërisht nga gazetarët dhe aktorët e medias, të të drejtës së tyre për lirinë e shprehjes, në një mjedis mediatik pluralist dhe më të sigurt.

Cili është qëllimi dhe objektivat e projektit?  

  • të promovojë dhe mbrojë lirinë e shprehjes dhe të medias në Shqipëri në përputhje me standardet evropiane;
  • të rrisë mbrojtjen e gazetarëve dhe të kontribuojë në krijimin e një mjedisi mediatik të përshtatshëm, më të sigurt dhe më pluralist;
  • të forcojë aftësitë dhe njohuritë e aktorëve institucionalë që janë përgjegjës për zbatimin e standardeve për lirinë e shprehjes dhe medias, si pjesë e punës së tyre të përditshme;
  • të mbështesë gazetarët dhe aktorët e medias në përpjekjet e tyre për vetërregullim dhe në ushtrimin e të drejtave të tyre në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë përkatëse dhe standardet përkatëse etike.

Kush përfiton nga projekti?

  • ligjbërësit dhe politikbërësit vendas në fushën e lirisë së shprehjes;
  • institucionet vendase të trajnimit për profesionistët ligjorë dhe personelin e zbatimit të ligjit, si Shkolla e Magjistraturës, Dhoma e Avokatëve, Akademia e Sigurisë dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit;
  • Autoriteti i Mediave Audiovizive të Shqipërisë (AMA) dhe stafi i saj;
  • organizatat e shoqërisë civile në këtë fushë duke përfshirë Këshillin Shqiptar të Medias, Aleancën për Median Etike, ResPublica, organizata gazetarësh etj.;
  • profesionistë si gjyqtarë, prokurorë, oficerë policie, avokatë, transmetues, gazetarë, aktorë të tjerë të medias, studentë dhe në tërësi shoqëria shqiptare.

Si funksionon projekti?

  • duke ofruar këshilla ligjore për të përmirësuar përafrimin e kornizave ligjore dhe rregullatore me standardet përkatëse evropiane;
  • duke ofruar mbështetje kërkimore dhe politikash për aktorët publikë në këtë fushë;
  • duke ofruar aktivitete për ngritjen e kapaciteteve për kategori të ndryshme profesionale, të ankoruara në standardet evropiane dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ);
  • duke lehtësuar dialogun lokal dhe rajonal dhe shkëmbimin e praktikave të mira në sinergji me veprimin rajonal.

Çfarë presim të arrijmë?

  • përmirësimin e zbatimit gjyqësor të standardeve për lirinë e shprehjes dhe medias që rrjedhin nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
  • forcimin e kapaciteteve profesionale të Autoritetit Shqiptar të Medias Audiovizuale (AMA) dhe rritjen e besimit që komuniteti mediatik ka në rolin e AMA-s, në ruajtjen e lirisë së medias duke ruajtur pavarësinë dhe paanshmërinë;
  • aktorët e medias, parlamentarët, OSHC-të, universitetet dhe palët e tjera të interesit kontribuojnë në ndërtimin e një mjedisi të favorshëm për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.

Cili është buxheti i projektit?  

  • Buxheti total i projektit është 465,000 EUR;
  • Buxheti i alokuar për programin Instrumenti Horizontal arrin në rreth. 41 milionë euro (85% financuar nga Bashkimi Evropian, 15% nga Këshilli i Evropës).

Si të merrni më shumë informacion?

Rreth Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë

Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë është një iniciativë e përbashkët e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës që u mundëson përfituesve nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia të përmbushin axhendat e tyre në fushën e të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe demokracisë, në përputhje me standardet evropiane, si prioritet i procesit të zgjerimit të BE-së.