Si pjesë e kuadrit të bashkëpunimit midis Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Horizontal Facility” për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, Këshilli i Evropës po zbaton projektin “Mbështetja e mjeteve të brendshme për zbatimin efektiv të vendimeve të  GjEDNj-së dhe atyre të brendshme” në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë, Zyrën e Avokaturës së Shtetit, Agjensinë e Trajtimit të Pronave, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme, Shkollën e Magjistraturës,  Shkollën e Avokatisë, si dhe shoqërinë civile të angazhuar në këtë fushë. 

Më datë 1 Janar 2017, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) numëroi 504 raste të regjistruara nga Shqipëria. Gjatë vitit 2016, Gjykata trajtoi 66 çështje të Shqipërisë, ku 44 prej tyre u shpallën të papranueshme ose u pushuan. Gjykata dha 10 vendime (në lidhje me 22 raste), ku u identifikua të paktën një shkelje e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj). Për rrjedhojë si pjesë e këtij projekti, do të kryhet një vlerësim i cili do të pasojë me hartimin dhe zbatimin e programeve trajnuese mbi standartet e KEDNj-së. Në vijim të rekomandimeve të Progres Raportit të BE-së 2016, kapitulli 23, projekti gjithashtu mbështet rishikimin e mjeteve të brendshme për të siguaruar zbatimin me efektshmëri të vendimeve gjyqësore si dhe të atyre administrative.

Projekti do të zgjasë për 20 muaj duke filluar nga data 1 Janar 2017. Buxheti i projektit është 700.000 Euro.

Objekti i Projektit

Objekti i përgjithshëm i Projektit synon të përmirësojë aftësitë e sistemit gjyqësor për të zbatuar jurisprudencën e GjEDNj-së në nivel kombëtar, si dhe për të aftësuar profesionistët në fushën e  ligjit të zbatojnë me efektivitet masat që lehtësojnë zbatimin e vendimeve gjyqësore të brendshme. Projekti adreson në veçanti zgjatjen e proceseve gjyqësore përtej afatit të arsyeshëm    (Komponenti 1), sfidat e lidhura me procesin e kthimit/kompensimit të pronave (Komponenti 2), si dhe procesin e rregullt ligjor në çështjet penale (Komponenti 3).

Objektivat specifike për komponentët e projektit do të arrihen në përmbushje të këtyre rezultateve të pritshme:

Rezultatet e pritshme për komponentin 1

  • Identifikimi i mangësive në lidhje me moszbatimin e gjykimeve te brendshme dhe tejzgjatjen e  procedurave, si dhe propozimi i mjeteve të brendshme efektive;
  • Rritja e kapaciteteve të Shkollës së Magjistraturës për të hartuar dhe zbatuar kurrikula trajnimi mbi të drejtat dhe standartet evropiane për drejtat e njeriut;
  • Zhvillimi i mëtejshëm i aftësive të profesionistëve në fushën e ligjit për të interpretuar dhe zbatuar dispozitat e Nenit 6§1 të KEDNj-së.

Rezultatet e pritshme për komponentin 2

  • Dhenia e asistencës teknike për të mundësuar që mekanizmi për ekzekutimin e vendimeve në lidhje me kompensimin ose kthimin e pronave të jetë i qartë dhe efektiv;  
  • Vlerësimi i masave legjislative në lidhje me moszbatimin e vendimeve gjyqësore dhe administrative për çështjet që lidhen me kthimin/kompensimin e pronave;
  • Përmirësimi i njohurive të profesionistëve në fushën e ligjit mbi zbatimin e vendimeve që lidhen me kthimin/kompensimin e pronave.

Rezultatet e pritshme për komponentin 3

  • Ofrimi i asistencës teknike dhe propozimeve për amendimet e mundshme në legjislacionin penal mbi rishikimin/ rihapjen e proceseve penale në rastet e shkeljes së procesit të rregullt ligjor;
  • Forcimi i kapaciteteve të Shkollës së Magjistraturës për trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për rihapjen e proceseve penale në përputhje me procesin e rregullt ligjor;
  • Rritja e kapaciteteve të gjyqtarëve dhe prokurorëve për të zbatuar kërkesat e Nenit 6 të KEDNJ-së dhe jurisprudencën e GjEDNj-së në lidhje me rihapjen e proceseve penale në përputhje me procesin e rregullt ligjor.  

 


Broshura e projektit në anglisht
Broshura e projektit në shqip

 

Kjo faqe interneti është prodhuar duke përdorur fonde të një projekti të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Pikëpamjet e shprehura këtu në asnjë rast nuk mund të konsiderohen si pasqyrim i opinionit zyrtar të Bashkimit Evropian.

 

kontakte
 

Kejsi ZIU
Oficere e Lartë Projekti
+355 4 45 40 222
E-mail


Edlira AGOLLI
Asistente Projekti
+355 4 45 40 212
E-mail