Back Gjyqtarë, prokurorë dhe profesionistë në fushën e ligjit trajnohen për të vënë në zbatim standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në nivel kombëtar

Gjyqtarë, prokurorë dhe profesionistë në fushën e ligjit trajnohen për të vënë në zbatim standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në nivel kombëtar

Edukimi profesional dhe trajnimi i vazhdueshëm janë aftësi të domosdoshme të cilat duhet të zhvillohen së bashku me përditësimin e legjislacionit. Për këtë qëllim më 6-7 nëntor 2017 u zhvillua në Tiranë një aktivitet dy ditor që synonte Trajnimin e Trajnerëve për gjyqtarë, prokurorë dhe profesionistë në tre fusha të ligjit. Ekspertët e fushës kanë punuar për hartimin e këtyre manualeve duke filluar nga muaji prill 2017. Këto manuale janë zhvilluar sipas metodologjisë HELP (Edukimi mbi të Drejtat e Njeriut për Profesionistët në Fushën e Ligjit) e cila mbështet vendet anëtare të Këshillit të Evropës për të zbatuar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Konventa) në nivel kombëtar. Qasja e përshtatur nxiti pjesëmarrjen aktive veçanërisht në diskutimet e rasteve studimore duke vënë në dukje  qasjet të ndryshme mbi legjislacionin kombëtar nga ana e gjyqtarëve, profesionistëve në fushën e ligjit dhe avokatëve.  Kjo thekson edhe më shumë nevojën për një bashkëpunim më të afërt midis institucioneve dhe harmonizimin e praktikave gjyqësore. 

Ky aktivitet solli bashkë 59 pjesëmarrës të cilët tashmë janë trajnerë të çertifikuar. Në një fazë të mëvonshme ata do të trajnojnë kolegët gjatë trajnimeve kaskadë, duke thelluar kështu aftësitë e gjyqtarëve, prokurorëve dhe profesionistëve në fushën e ligjit për të zbatuar standardet e Konventës në proceset legjislative dhe praktikat gjyqësore. 

Projekti “Mbështetja e mjeteve të brendshme efektive për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut” zbatohet nga Këshilli i Evropës në kuadër të skemës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë", bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës. 

 

 

Tiranë 9 nëntor 2017
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page

Si pjesë e kuadrit të bashkëpunimit midis Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Horizontal Facility” për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, Këshilli i Evropës po zbaton projektin “Mbështetja e mjeteve të brendshme për zbatimin efektiv të vendimeve të  GjEDNj-së dhe atyre të brendshme” në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë, Zyrën e Avokaturës së Shtetit, Agjensinë e Trajtimit të Pronave, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme, Shkollën e Magjistraturës,  Shkollën e Avokatisë, si dhe shoqërinë civile të angazhuar në këtë fushë. 

Më datë 1 Janar 2017, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) numëroi 504 raste të regjistruara nga Shqipëria. Gjatë vitit 2016, Gjykata trajtoi 66 çështje të Shqipërisë, ku 44 prej tyre u shpallën të papranueshme ose u pushuan. Gjykata dha 10 vendime (në lidhje me 22 raste), ku u identifikua të paktën një shkelje e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj). Për rrjedhojë si pjesë e këtij projekti, do të kryhet një vlerësim i cili do të pasojë me hartimin dhe zbatimin e programeve trajnuese mbi standartet e KEDNj-së. Në vijim të rekomandimeve të Progres Raportit të BE-së 2016, kapitulli 23, projekti gjithashtu mbështet rishikimin e mjeteve të brendshme për të siguaruar zbatimin me efektshmëri të vendimeve gjyqësore si dhe të atyre administrative.

Projekti do të zgjasë për 20 muaj duke filluar nga data 1 Janar 2017. Buxheti i projektit është 700.000 Euro.

Objekti i Projektit

Objekti i përgjithshëm i Projektit synon të përmirësojë aftësitë e sistemit gjyqësor për të zbatuar jurisprudencën e GjEDNj-së në nivel kombëtar, si dhe për të aftësuar profesionistët në fushën e  ligjit të zbatojnë me efektivitet masat që lehtësojnë zbatimin e vendimeve gjyqësore të brendshme. Projekti adreson në veçanti zgjatjen e proceseve gjyqësore përtej afatit të arsyeshëm    (Komponenti 1), sfidat e lidhura me procesin e kthimit/kompensimit të pronave (Komponenti 2), si dhe procesin e rregullt ligjor në çështjet penale (Komponenti 3).

Objektivat specifike për komponentët e projektit do të arrihen në përmbushje të këtyre rezultateve të pritshme:

Rezultatet e pritshme për komponentin 1

  • Identifikimi i mangësive në lidhje me moszbatimin e gjykimeve te brendshme dhe tejzgjatjen e  procedurave, si dhe propozimi i mjeteve të brendshme efektive;
  • Rritja e kapaciteteve të Shkollës së Magjistraturës për të hartuar dhe zbatuar kurrikula trajnimi mbi të drejtat dhe standartet evropiane për drejtat e njeriut;
  • Zhvillimi i mëtejshëm i aftësive të profesionistëve në fushën e ligjit për të interpretuar dhe zbatuar dispozitat e Nenit 6§1 të KEDNj-së.

Rezultatet e pritshme për komponentin 2

  • Dhenia e asistencës teknike për të mundësuar që mekanizmi për ekzekutimin e vendimeve në lidhje me kompensimin ose kthimin e pronave të jetë i qartë dhe efektiv;  
  • Vlerësimi i masave legjislative në lidhje me moszbatimin e vendimeve gjyqësore dhe administrative për çështjet që lidhen me kthimin/kompensimin e pronave;
  • Përmirësimi i njohurive të profesionistëve në fushën e ligjit mbi zbatimin e vendimeve që lidhen me kthimin/kompensimin e pronave.

Rezultatet e pritshme për komponentin 3

  • Ofrimi i asistencës teknike dhe propozimeve për amendimet e mundshme në legjislacionin penal mbi rishikimin/ rihapjen e proceseve penale në rastet e shkeljes së procesit të rregullt ligjor;
  • Forcimi i kapaciteteve të Shkollës së Magjistraturës për trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për rihapjen e proceseve penale në përputhje me procesin e rregullt ligjor;
  • Rritja e kapaciteteve të gjyqtarëve dhe prokurorëve për të zbatuar kërkesat e Nenit 6 të KEDNJ-së dhe jurisprudencën e GjEDNj-së në lidhje me rihapjen e proceseve penale në përputhje me procesin e rregullt ligjor.  

 


Broshura e projektit në anglisht
Broshura e projektit në shqip

 

Kjo faqe interneti është prodhuar duke përdorur fonde të një projekti të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Pikëpamjet e shprehura këtu në asnjë rast nuk mund të konsiderohen si pasqyrim i opinionit zyrtar të Bashkimit Evropian.

 

kontakte
 

Kejsi ZIU
Oficere e Lartë Projekti
+355 4 45 40 222
E-mail


Edlira AGOLLI
Asistente Projekti
+355 4 45 40 212
E-mail