Përfaqësues të lartë të institucioneve kryesore shqiptare që merren me të drejtat e pronësisë dhe ekspertë ligjorë, përfaqësues të grupeve të interesit morën pjesë në një sërë konsultimesh nga projekti i përbashkët Bashkimi Evropian /Këshilli i Evropës, "Mbështetja e zbatimit të vendimeve gjyqësore dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ në Shqipëri", në funksion të projekt-ndryshimeve të ligjit nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.
Ndryshimet e propozuara synojnë rregullimin e legjislacionit në fjalë në përputhje me kërkesat e vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut "Beshiri kundër Shqipërisë" dhe në përputhje me nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Konsultimet dhanë rekomandime konkrete për përmirësimin e draftit, duke synuar përfundimin e procesit të trajtimit dhe kompensimit të pronave brenda afateve ligjore dhe respektimin e detyrimeve ndërkombëtare.
Këto aktivitete u organizuan në kuadër të projektit “Mbështetja e zbatimit të vendimeve gjyqësore dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ në Shqipëri”, pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022".