Back Inspektorati i Lartë i Drejtësisë përforcon bashkëpunim me Rrjetin Evropian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë përforcon bashkëpunim me Rrjetin Evropian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë

Inspektorati i Lartë shqiptar i Drejtësisë (ILD) priti një delegacion të Rrjetit Evropian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ) në funksion të krijimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi dhe vlerësimit të aplikimit të mundshëm për anëtarësim në RESIJ. Delegacioni i RESIJ përbëhet nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë i Rumanisë - Lucian Netejoru, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë të Francës - Martine Bardet dhe Luis Jardim - Inspektor në Këshillin e Lartë të Magjistraturës të Portugalisë.

Duke i uruar mirëseardhjen delegacionit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë në Shqipëri, Artur Metani, vlerësoi mbështetjen e Këshillit të Evropës (dhe Bashkimit Evropian) për të mundësuar shkëmbimin mes institucioneve partnere të BE-së, duke theksuar veçanërisht nevojën për të sjellë një mentalitet të ri në shërbimet e inspektimit në Shqipëri dhe ndërtimin e një institucioni të ri bazuar në standardet dhe vlerat europiane.

Në të njëjtën linjë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i Rumanisë, Lucian Netejoru, theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave më të mira, duke pasur parasysh në veçanti faktin se inspektimi gjyqësor është një praktikë e re.

Vizita vazhdoi me takime të rëndësishme në Kuvendin Kombëtare në Shqipëri dhe në institucionet kryesore qeverisëse të drejtësisë, përkatësisht Këshillin e Lartë Gjyqësor Shqiptar (KLGJ), Këshillin e Lartë të Prokurorisë Shqiptare (KLP), Shkollën e Magjistraturës dhe gjykatat e përzgjedhura në Tiranë dhe Vlorë.

Gjatë vizitës tek institucionet përkatëse, inspektorët e RESIJ patën mundësinë të diskutojnë dhe shkëmbejnë pikëpamjet e tyre për tema të rëndësishme që kanë të bëjnë me reformën si domosdoshmëria e një gjyqësori të pavarur, të përgjegjshëm dhe efektiv në garantimin e sundimit të ligjit, aksesit të barabartë në drejtësi, mbrojtjes, të drejtat e njeriut dhe përmbushjen e reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE.

Kjo vizitë shkëmbimi vjen pas takimit të nivelit të lartë të organizuar qershorin e kaluar midis Inspektoriatit të Lartë Shqiptar të Drejtësisë (ILD) dhe Inspektoratit të Përgjithshëm Francez të Drejtësisë që aktualisht koordinon Rrjetin Evropian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ).

Paralelisht me vizitën e delegacionit, një trajnim mbi Praktikat e mira nga Inspektoriatet Evropiane të Drejtësisë u organizua për inspektorët gjyqësorë shqiptarë nga ekspertët e RESIJ nga Franca, Italia dhe Rumania. Trajnimi përfshinte dy module të zhvilluara mbi Parimet dhe Metodat e Inspektimit të Përgjithshëm dhe Instrumentet dhe Procedurat e Inspektimit.

Këto aktivitete organizohen në kuadër të projektit “Forcimi i Cilësisë dhe Efiçencës së Drejtësisë në Shqipëri” pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”, i cili synon të ndihmojë përfituesit që të jenë në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës dhe acquis të Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të zgjerimit.

 

 

Tiranë 24 nëntor 2021
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page