Zyra e Këshillit të Europës në Tiranë në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias organizuan tri module trajnimesh për tri grupe gazetarësh mbi “Përmirësimin e cilësisë së raportimit mbi çështjet e lidhura me grupe të margjinalizuara në Shqipëri: LGBT, Romët dhe personat me probleme të shëndetit mendor”. Trajnimi u organizua në datat 14, 15, 16 Prill 2015 tek Instituti Shqipëtar i Medias (ISHM) në Tiranë.
Qëllimi i përgjithshëm ishte të përmirësohej cilësia e raportimit mbi histori të tilla duke ekspozuar dhe diskutuar disa prej paragjykimeve dhe keqkuptimeve të portretizuara në media sot në lidhje me Romët, komunitetin LGBT dhe personat që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor si dhe impaktin e këtyre historive në jetën e anëtarëve të këtyre grupeve.
Rreth 50 gazetarë të cilët punojnë për median lokale dhe kombëtare diskutuan gabime të shpeshta të kryera prej gazetarëve, impaktin e lajmeve të tyre në jetën e anëtarëve të këtyre komuniteteve, disa të dhëna kulturore dhe historike në lidhje me këto komunitete, si dhe u ofruan disa zgjidhje për mënyrën e përmirësimit të raportimeve në të ardhmen.
Trajnerët ishin David Whitbourn, gazetar dhe ekspert komunikimi (UK), Vincent Van Gerven, aktivist LGBT, Ledia Lazeri, Drejtoreshë e Organizatës Botërore të Shëndetit në Shqipëri.
Trajnimet u organizuan si pjesë e projektit rajonal të Këshillit të Europës “Promovimi i lirisë së shprehjes e informacionit, dhe lirisë së medias në Europën Juglindore” me kontributin vullnetar të qeverisë norvegjeze.